Qeveria i dorëzohet grosistëve të naftës. Çmimi do të rritet sërish

6 February 2022, 21:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria i dorëzohet grosistëve të naftës. Çmimi do
Pikë karburanti në Tiranë

Ndonëse këtë fillim jave çmimi i naftës dhe benzinës arriti një rekord të ri, duke u tregtuar me 193-200 lekë/litër, duket se ky çmim do të rritet sërish.

Ministria e Financave ka thirrur në një takim operatorët e fushës dhe sipas pritshmërive të tyre, çmimet do të vijojnë shtrenjtimin.

Numri dy i Ministrisë së Financave, Vasilika Vjero u shpreh në Vizion+ se në këtë shtrenjtim nuk ka dhënë ndikim ligji i ri i cili indekson akcizën e karburanteve.

“Në takimin që patëm me operatorët e fushës u evidentua fakti se edhe për të paktën dy apo tre muajt në vijim çmimet e karburanteve do të jenë në trendin rritës, për shkak të bursave.  Ndërkohë ligji i indeksimit ka një impakt minimal në këtë çmim dhe nuk ndikon në rritjen e kostove për operatorët e hidrokarburave”.

Nisur nga kjo situatë, zv/Ministrja thotë se qeveria nuk ka në plan të rishohë sistemin e taksave, por e vetmja mundësi është të mbështeten grupet shoqërore më në nevojë, nga shtrenjtimi i jetesës në tërësi.

“Ministria e Financave po sheh mundësinë për të gjetur një formë se si të mbështesim shtresat më në nevojë. Nuk kemi ende një skemë konkrete pasi jemi në diskutim, por forma më e mirë është ajo e subvencionimit për disa grupe më vulnerabël.”

Vetëm si pasojë e rritjes së çmimeve të të gjithë produkteve dhe shërbimeve, jetesa e një familjeje shqiptare është shtrenjtuar minimalisht me 3 mijë lekë në muaj.


Video