The Economist
Me të drejtë, askush nuk duhet ta dëshirojë. Gaza është një ferr. Tanket e Izraelit i kanë shndërruar qytetet e saj në pluhur dhe kanë shkatërruar infrastrukturën. Edhe gjatë javës së fundit, ushtarët izraelitë kanë dëbuar gjysmë milioni njerëz nga qyteti i Gazës. E megjithatë, ndërsa Izraeli ndërmerr atë që e quan fushatën përfundimtare në Gaza, po shpërthen një betejë për të përcaktuar se kush do ta qeverisë këtë shkretëtirë.
Ndërsa fuqitë perëndimore rreshtohen për të njohur shtetin e Palestinës në OKB, pas skenës ato po përplasen se kush duhet ta marrë në dorë Gazën. Që nga fillimi i luftës në tetor 2023, mbi një duzinë qeverish dhe think-tankesh të sponsorizuara nga qeveritë kanë ofruar plane për “ditën pas” të Gazës. Ato variojnë nga Deklarata e Nju Jorkut me shtatë faqe, e zbuluar nga Emmanuel Macron, presidenti francez, dhe Faisal al-Saud, ministri i jashtëm saudit, në OKB në korrik, deri te një “dokument jeshil” prej 200 faqesh e publikuar në janar nga Hamasi, militantët islamikë që ende mbajnë pak kontroll mbi Rripin e Gazës.
Qeveritë e Britanisë, Danimarkës, Egjiptit, Izraelit, Palestinës dhe Amerikës kanë hartuar dokumente, po ashtu edhe një institut i mendimit (think tank) i mbështetur nga qeveria në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe biznesmenë në kryeqytete rajonale e perëndimore.
Ndoshta më i zellshmi është Toni Blair, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe.
Vetëm pak javë pasi shpërtheu lufta në Gaza, ai kishte bërë vizita të përsëritura në Jeruzalem dhe kishte vënë fondacionin e tij në Londër të hartonte një plan për një mandat pas lufte. Sipas disa burimeve të përfshira në plan, Blair mund të kryesojë një organ të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Tranzitor i Gazës (GITA). Ai do të kërkonte një mandat nga OKB që të ishte “autoriteti suprem politik dhe ligjor” i Gazës për pesë vjet. Nëse miratohet, Toni Blair do të kishte një sekretariat deri në 25 persona dhe do të kryesonte një bord me shtatë anëtarë për të mbikëqyrur një trup ekzekutiv që drejton territorin. Shtetet e Gjirit do të paguanin. “Ai është i gatshëm të sakrifikojë kohën e tij. Ai me të vërtetë dëshiron t’i japë fund luftës,” thotë një burim që e njeh zotin Blair.
Plani i Toni Blair ka mbështetës të fuqishëm, nga udhëheqës të Gjirit te Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan. N
doshta më e rëndësishmja, ndryshe nga planet e tjera, ky i Toni Blair duket se ka bekimin e Donald Trump. Zoti Blair, z.Kushner dhe Steve Witkoff, i dërguari i presidentit për Lindjen e Mesme, e paraqitën çështjen në një takim me presidentin më 27 gusht. (Ron Dermer, i besuari i kryeministrit izraelit dhe ministri për çështje strategjike, u bashkua me telefon.) Dhe më 23 shtator, thuhet se Trump ua paraqiti idenë udhëheqësve të Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe pesë vendeve arabe. “Ndoshta mund ta përfundojmë (luftën në Gaza) tani,” u tha ai.
Për palestinezët, plani është një përmirësim i qartë krahasuar me vizionin që Trump paraqiti në shkurt. Atëherë, ai propozoi dëbimin e banorëve të Gazës dhe ndërtimin e një “riviere” të krijuar nga inteligjenca artificiale pasi ata të ishin larguar. Sipas sondazheve që ekipi i Blair publikoi në maj, mbi 25% e banorëve të Gazës favorizonin një formë të qeverisjes ndërkombëtare, kundrejt 33% për Autoritetin Palestinez (AP), administratën e presidentit Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor. Pothuajse askush nuk dëshironte që Hamasi, i cili e ka drejtuar Gazën që nga viti 2007, të mbetej në krye. Shumica nuk kanë merak se kush sundon, për sa kohë që bombardimet ndalojnë dhe ka ushqim për të ngrënë, thotë një ish-zyrtar që po ikën nga qyteti i Gazës.
Burime të informuara thonë se GITA është modeluar sipas administratave ndërkombëtare që mbikëqyrën tranzicionet e Timorit Lindor dhe Kosovës drejt shtetësisë. Fillimisht ajo mund të bazohet në El-Arish, një kryeqytet provincial egjiptian pranë kufirit jugor të Gazës. GITA do të hynte në Gaza, sapo rripi të ishte stabilizuar, e shoqëruar nga një forcë shumëkombëshe. Sipas planit, thonë këto burime, palestinezët nuk do të inkurajohen të largohen nga Gaza. Gaza dhe Bregu Perëndimor do të ribashkohen dhe Gaza do t’i dorëzohet gradualisht Autoritetit Palestinez.
Por mandatet zakonisht zgjasin më shumë se sa planifikohet. Në nëntor 1917 Britania lëshoi Deklaratën Balfour duke u premtuar hebrenjve një atdhe në Palestinë; po atë ditë ajo pushtoi Gazën, shpejt. E përdori Gazën si bazë të forcave ajrore dhe si ndalesë për Imperial Airways (pararendës i British Airways). Qëndroi atje për 30 vjet. Tani disa palestinezë kanë frikë se Britania po e përsërit këtë veprim.
E kaluara e zotit Blair në rajon nuk i bën ata ta pëlqejnë. Si kryeministër ai iu bashkua Amerikës në pushtimin e Irakut në 2003. Në tetë vitet e tij si i dërguar i Kuartetit, një grup që përfshin Amerikën, BE-në, Rusinë dhe OKB-në (i ngarkuar me zbatimin e një plani drejt shtetësisë palestineze), Izraeli goditi Gazën katër herë dhe forcoi kontrollin mbi territoret palestineze.
Bindja e Mahmoud Abbas do të jetë e vështirë. Ai ka mbështetjen e shteteve arabe për të drejtuar Gazën pas luftës dhe duket i gatshëm të përballet me sfiduesit. Kur një biznesmen palestinez, Samir Hulileh, sugjeroi që ai të ishte guvernatori i Gazës, Abbas e futi në burg. “Një tjetër pushtim po vjen,” paralajmëron një këshilltar i Abbas për planin e Blair.
Ndërmjetësit egjiptianë pretendojnë se duke pasur një vizion politik, Hamasi do të dorëzonte armët dhe do të lejonte një qeveri palestineze teknokrate të administronte rripin. Por nëse anëtarëve të tij u ndalohet të punojnë në arsim dhe shërbime shëndetësore, siç sugjerojnë burimet e The Economist, grupi mund të kundërshtojë.
Dhe pastaj vjen Izraeli. Pasi ka marrë Gazën me një kosto rraskapitëse, ministrat e tij mesianikë duan ta mbajnë atë. Bezalel Smotrich, ministri i financave, sheh “një bum të pasurive të paluajtshme”. Më herët a më vonë, argumenton ai, bota do të ndiejë keqardhje për banorët e Gazës dhe do t’u ofrojë atyre strehim diku tjetër.
Toni Blair i telefonon shpesh Benjamin Netanyahut, kryeministrit të Izraelit, duke shpresuar ta bindë për vizionin e tij. Por ashtu si zgjidhja me dy shtete, ai mund të zbulojë se bisedat për të ardhmen thjesht blejnë kohë që Izraeli të krijojë “fakte alternative” në të tashmen.