Kush e vrau Irsën dhe të vërtetat që na përplasen në fytyrë

16 September 2025, 17:52Pikëpamje SHKRUAR NGA SILVANA MUçA

Kush e vrau Irsën dhe të vërtetat që na përplasen

Nga Silvana Muça

Irsa Muçollari, 17 vjeç, sot nuk jeton më sepse të hënën e 10 shkurtit të këtij viti ajo vendosi t’i japë fund jetës, duke refuzuar që të qëndrojë në këtë botë ku askush nuk e dëgjoi, nuk e pranoi, por e lanë ashtu të vetme. Vdekja e të miturës, për disa ditë pushtoi mediat dhe portalet me tituj bombastik për të rritur klikimet, për tu harruar shpejt, ashtu si shumë raste të tjera ku jetët shuhen në heshtje. Por ato që mbeten janë pyetjet therëse, që ende nuk kanë përgjigje: kush e vrau më shumë Irsën, dhimbja apo indiferenca e të gjithëve rreth saj?

Në shkollë, zyrtarisht, një psikolog paguhet çdo muaj për tu ardhur në ndihmë nxënësve si Irsa, por në dosjet e tij nuk ekzistonte emri i saj. Nuk kishte asnjë referim, asnjë bisedë, asnjë shenjë se dikush ishte kujdesur të dëgjonte vajzën. Psikologu ishte aty për të mbushur statistikat, jo për të kapur thirrjet e mbytura të një adoleshenteje që luftonte me veten, një luftë të cilën e humbi duke i dhënë fund jetës pasditen e 10 shkurtit.

Për mësuesit Irsa ishte e padukshme. Nuk krijonte probleme, nuk bënte zhurmë, nuk mungonte. Irsa ekzistonte vetëm në Regjistrin e shkollës dhe jo si një individ që i duhej dhënë ndihmë për të dalë nga errësira që e kishte gjunjëzuar, i kishte vjedhur besimin në vete dhe i kishte vrarë shpresën. Nuk ia drejtuan derën e psikologut, nuk e ngritën telefonin për të folur me prindërit, nuk folën me ato pak vajza që guxonin t’ í afroheshin Irsës “së çuditshme”. Irsa nuk ishte e çuditshme, por ishte thjeshtë një e mitur që humbi veten nën presionin e shoqërisë, indiferencës së mësuesve, paaftësisë së prindërve për ta kuptuar.

Dhe ky është turpi më i madh i trupës arsimore: të mendosh se detyra jote mbaron te librat, te mësimi përmendësh, ndërsa përpara syve të tu një nxënëse rrënohet nga brenda. Edukimi nuk është thjesht formulë në fletore, është përgjegjësi për të formësuar identitetin e secilit prej nxënësve, duke ndihmuar dhe pranuar të tjerët.

Por edhe prindërit gabuan. Ata e morën “qetësinë” e vajzës si të mirëqenë. Nuk e lexuan dot heshtjen e saj si klithmë. Nuk e pyetën pse nuk qeshte më, pse fshihej pas librave, pse buzëqeshja e saj dukej gjithnjë më e lodhur. Për ta, Irsa ishte “kështu nga natyra”. Për fat të keq, ky lexim sipërfaqësor i kushtoi jetën vajzës së tyre, duke lënë pas vetëm dhimbje, një dhimbje që nuk kalon kurrë, por që çdo ditë ta çjerr plagën e shpirtit prej mallit.

Sot, kur Irsa nuk është më, mbetet një boshllëk i rëndë dhe një përgjegjësi e ndarë mes tre hallkave që dështuan: shkollës, psikologut dhe familjes. Këto nuk janë vetëm gabime njerëzore, janë dështime të një sistemi të tërë që e trajton shëndetin mendor të fëmijëve si çështje dytësore.

Sa “Irsa” të tjera duhen të humbin që të kuptojmë se psikologët e shkollave nuk mund të jenë thjesht emra në organigramë? Sa adoleshentë duhet të shpërthejnë në heshtje që mësuesit të mësojnë të shohin përtej bankave? Sa prindër duhet të qajnë fëmijët e tyre që të kuptojnë se heshtja nuk është gjithmonë paqe, shpesh është dhimbje që vret?

Irsa nuk është një rast i izoluar. Ajo është pasqyra e një shoqërie që harron shpejt, që hesht para përgjegjësisë, që mbyll sytë nga plagët e fëmijëve të saj. Dhe sa kohë që kjo vazhdon, çdo heshtje e lënë pas dore rrezikon të kthehet nesër në një tjetër tragjedi.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video