Policia e Sarandës ka kallëzuar në prokurori një punonjës të FRONTEX, policia e BE-së për monitorimin dhe ruajtjen e kufijve, pasi ka shkaktuar një aksident dhe është larguar nga vendngjarja.
Policia bën me dije se 35-vjeçari rumun ka dalë nga rruga me makinën e tij, teksa ishte jashtë orarit të punës, por është larguar nga vendngjarja duke mos pritur shërbimet e qarkullimit rrugor.
Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjëndje të lirë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, për shtetasin L. D., 35 vjeç, banues në Rumani (punonjës i shërbimeve të FRONTEX, jashtë shërbimit), pasi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor Gajdar-Shijan, ky shtetas ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, 35-vjeçari nuk ka pritur shërbimet e qarkullimit rrugor, për kryerjen e veprimeve procedurale, por është larguar nga vendi i aksidentit”, njofton policia e Sarandës.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.