Qeveria greke ka paraqitur një deklaratë me shkrim në mbledhjen e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së me të cilën shprehet se çështja Beleri do të jetë kusht për të ardhmen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.
Letra thekson se sot Greqia i ka paraqitur COREPER-it një rezervë të shprehur në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, duke bërë të qartë se nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, për sa kohë nuk ka zhvillime pozitive për marrjen e detyrave të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
Deklarata në fjalë shoqëron letrën, është miratuar dhe dërguar në Tiranë, raportojnë autoritetet greke.
Pak javë më parë Athina kishte mbajtur pezull letrën, për të dërguar një mesazh lidhur me çështjet që e shqetësojnë në lidhje me Shqipërinë.
Më pas, Athina mori një presion shumë të fortë si nga Gjermania, ashtu edhe nga presidenca spanjolle për të ndryshuar qëndrimin e saj, gjë që nuk e bëri, siç dëshmojnë zhvillimet e fundit.
Kujtohet se më 4 dhjetor, Gjykata Speciale e Shqipërisë do të shqyrtojë kërkesën e Fredi Belerit për betimin si kryetar i Bashkisë së Himarës.