Peticioni i Berishës kundër saj, Yuri Kim: Unë përfaqësoj Joe Biden, s'kam ardhur për pushime

12 May 2022, 21:40Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Peticioni i Berishës kundër saj, Yuri Kim: Unë

Ambasadorja e ShBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka folur për herë të parë për peticionin e firmosur kundër saj nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkohet Departamentit të Shtetit që të mos e lejonte të ndërhynte në çështjet e brendshme të PD-së.

Shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri ka deklaruar se ajo nuk vepron mbi baza personale, por përfaqëson Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe flet në emër të ShBA-ve. Ambasadorja Kim shtoi më tej në intervistën për "Open" se ShBA-të do vazhdojnë t'ju kërkojnë llogari personave të përfshirë në korrupsion.

Eni Vaisli: Së fundi, një peticion online i disa qytetarëve shqiptarë i është drejtuar Departamentit të Shtetit duke thënë se përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, pra ju, duhet t’i përmbahet statusit diplomatik dhe peticioni mbyllet me thirrjen, Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough! Keni një opinion se cili ose cilët mund të jenë iniciatorët e këtij peticioni dhe a ju ka shqetësuar? A e keni besuar dhe a ju ka shqetësuar?

Ambasadorja Kim: Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë bazohen në fakte, ndonjëherë jo, por pavarësisht kësaj, kanë të drejtën absolute ta shprehin. Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen. Do të them këtë – mendoj se ndonjëherë ka një keqkuptim se cili është roli i ambasadores amerikane, apo veprimet e ndërmarra nga ambasadorja amerikane. Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam me pushime këtu. Unë përfaqësoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Mendoj që Sekretari i Shtetit, Presidenti kanë qenë shumë të qartë për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit dhe, në fakt, qershorin e kaluar, Presidenti Biden nxori një deklaratë që shprehej se lufta kundër korrupsionit është interes i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ndaj, mos gabojë kush, do të vazhdojmë t’iu kërkojmë llogari atyre që janë përfshirë në korrupsion. Çështja tjetër është kjo, nëse është pjesë e kufirit tim diplomatik këtu. Patjetër që është. Unë nuk e sajoj vetë përshkrimin e punës time. Unë kam një numër objektivash specifike që më kërkohet të arrij, si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara dhe unë jam një nëpunëse publike e përkushtuar. Do të vazhdoj ta bëj punën time sipas udhëzimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.


Video