
Minatorët e Bulqizës kërkojnë rritje page nga kompania Albchrome për të përballuar, siç thonë krizën e rëndë të rritjes së çmimeve.
“Kjo krizë është më e prekshme sidomos në zona si Bulqiza, ndër më të varfrat në vend. Një pjesë e galerive minerare të vogla e kanë rritur disi pagën e minatorëve, por kjo gjë nuk ka ndodhur te Miniera e Albchrome, më e madhja në Bulqizë dhe gjithë vendin. Situata është më revoltuese sidomos duke marrë parasysh faktin që çmimi i kromit në tregjet ndërkombëtare thuajse është trefishuar”, thuhet në deklaratën e tyre.
Kërkesa për rritje rroge i është dërguar të mërkurën kompanisë Albchrome nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Janë katër pika në këtë kërkesë; rritja e pagës, njohjen e vështirësisë dhe pagesë shtesë për punën në thellësi, njohjen dhe pagesën për vjetërsinë në punë dhe trajtimin me pagesë shtesë për lagështinë në ambientin e punës.
“Jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive nga ana e kompanisë dhe drejtuesve të rinj të saj, me shpresën që do jenë më bashkëpunues me punëtorët dhe sindikatat që përfaqësojnë realisht punëtorët. Ndërkohë, iu bëjmë thirrje të gjithë minatorëve të bashkohen në Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, të organizohemi dhe të fitojmë të drejtat tona. Sot është momenti ynë!”, thuhet në deklaratën e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.