Çmimi i naftës ka arritur sot rekord historik duke dalë jashtë çdo parashikimi.
Bordi i Transparencës ka vendosur që një litër naftë të shitet me çmim tavan 258 lekë.
Referuar hartës së përpiluar nga "Global Petrol Prices", Shqipëria ka çmimin më të lartë në rajon me 2.04 euro dhe Maqedonia e Veriut çmimin më të ulët me 1.66 Euro për litër
Pak muaj më parë kur çmimi ishte pak më i ulët, sipas përllogaritjeve të INSTAT, shpenzimet për karburantet merrnin afro 20% të shpenzimeve të buxhetit mujor të qytetarëve. Sot kjo shifër është shumë më shumë.
Por, kjo duket se nuk i intereson Bordit të Transparencës, i cili u ngrit me qëllim monitorimin e kostove për tregtarët, vendosjen dhe ruajtjen e çmimeve dhe monitorimin e subjekteve me qëllim shmangien e rasteve abuzive. Sot po tregon se nuk është me NE, por me ATA, oligarkët.
Bordi mbyll njërin sy, kur sheh se kompanitë e naftës (kryesisht Gega dhe Kastrati) pas çdo vendimi të tij, zgjedhin të vendosin çmimin tavan, kur ka kompani që furnizohen me të njëjtën naftë, kanë pothuajse të njëjtat kosto dhe kanë çmime më të ulëta.
Pra, Bordi monitorim jo e jo që nuk bën, por sot tregoi se po u servir në pjatë të argjendtë “abuzimin” oligarkëve.
