Kallëzimi që vë në test real SPAK-un dhe Arben Krajën

7 June 2022, 14:42Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kallëzimi që vë në test real SPAK-un dhe Arben Krajën
Kreu i SPAK, Arben Kraja duke u betuar te Presidenti Ilir Meta

SHËNIM: Ish-deputeti i opozitës PD-LSI, Halit Valteri, i është përgjigjur thirrjes së kreut të SPAK, Arben Kraja në lidhje me hapjen e hetimeve për politikanët e lartë të vendit.

Haliti sot ishte konkret duke kallëzuar Presidentin në detyrë, Ilir Meta, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ish-deputetin Vangjel Tavo dhe Iraklis T. Fidetzis – Administrator i kompanisë Dorelita Limited.

Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre. Në arsyetimin e tij, Valteri thekson se disponon të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale.

Sigurisht Ilir Meta e Monika Kryemadhi prezumohen të pafajshëm ndaj akuzave për korrupsion dhe fshehje të ardhurash në rastin e kallëzimit penal të dorëzuar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri deri sa gjykatat që shprehen me vendim.

Me padinë e dorëzuar ish-deputeti ka vënë përpara përgjegjësisë SPAK-un, që çeljen e hetimit duhet ta kishte iniciuar vetë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme tha se trupa që kryeson nuk vepron mbi bazën e deklaratave publike (megjithëse ligji i jep të drejtë që të hapë çështje kryesisht, pra me nismë të vetë prokurorëve dhe pa kallëzim), por mbi bazë denoncimesh publike.

Tani, kallëzimin e ka dhe me këtë kallëzim, Valteri e ka vënë në një test të madh këtë strukturë, që përballë ka vetëm dy rrugë; ose të veprojë dhe t’u provojë shqiptarëve se nuk besuan kot te ta, ose të provojë akuzat e Berishës që e ironizon që në emër duke e quajtur “SKAPI”.

Rrugë të mesme për Arben Krajën dhe gjithë strukturën e posaçme nuk ka. Në lojë nuk është fati i drejtuesit të SPAK-ut, apo i Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Në lojë është besimi i publikut te SPAK-u dhe drejtësia e re, që tani ka ardhur koha që të provojë që është vërtet ‘e verbër’.

E siç shprehja thotë ‘oreksi vjen duke ngrënë’, edhe SPAK-u ndoshta pas hetimit të akuzave publike për paratë e lobimit të Ilir Metës në SHBA, mund t’i shtohet oreksi që të hapë dosje edhe më të bujshme ku është akuzuar Presidenti.

Njëra prej tyre është afera CEZ-DIA, ku në mes nuk janë disa qindra-mijëra euro, por miliona që iu grabitën qytetarëve dhe buxhetit të shtetit përmes një skeme të mirëmenduar mafioze. Për të kaluar më pas te denoncimet e të ndjerit Dritan Prifti, të cilat SPAK mund t’i gjejë lehtësisht me një kërkim të thjesht në Google.

Këto janë arsyet se përse kallëzimi i Halit Valterit është test për SPAK-un dhe ndoshta për të gjithë reformën në drejtësi dhe besimin e qytetarëve tek ajo.

Askush nuk po i kërkon SPAK-ut që ta dënojë, fundja nuk është gjykatë por organ hetimor. E si hetimor ka detyrën që të paktën të hetojë dhe t’u japë përgjigje gjithë akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës. Pak rëndësi ka rezultati, a dënohet apo shpallet i pafajshëm Presidenti. SPAK-u ka detyrën që ta hetojë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video