Shënim: Tre vitet e ardhshme të mandatit të tretë të Edi Ramës premtojnë lënien pas të marrëdhënieve të trazuara e konfliktuale me Presidencën sipas parimit ‘qeveri-president janë një’.
Bajram Begaj u kritikua për shfaqjen në zyrën e Edi Ramës pak pasi u njoftua si kandidat zyrtar i socialistëve. Pati nga ata që e lexuan takimin si tregues se Presidenti i ri është plotësisht nën kontroll të Edi Ramës, madje se Kryeministri e thirri atë në zyrë ‘si ta kishte këshilltar personal’ e jo si të ishte Presidenti i ri i vendit.
Por, takimi i së premtes nuk është i vetmi moment që të krijon këtë përshtypje. Edhe shtrëngimi i duarve në Kuvend mes Ramës dhe Presidentit të zgjedhur përforcon këtë përshtypje.
Në fotot e shkrepura, Bajram Begaj shfaqet duke i shtrënguar me të dyja duart dorën Edi Ramës nga llozha ku ndoqi votimin e socialistëve, që e bënë President me 78 vota pro.
Me dy duar takohet Papa në Vatikan nga krerë shtetesh që e vizitojnë. Me dy duar u takua edhe Rama nga Begaj, në një gjest që dukej më shumë se sa falenderim i tepruar për ‘nderin’ që Kryeministri i bëri duke e zgjedhur President.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.