Kur, Ilir Meta u betua si President, Monika Kryemadhi refuzoi titullin honorifik si “Zonjë e Parë” e vendit, duke ndjekur karrierën në politikë si kryetare e LSI-së.
Tani, pas pesë vitesh pa “Zonjë të Parë”, vendit do t’i rikthehet një e tillë me betimin e Bajram Begajt si President më 24 korrik.
Armanda Begaj është “Zonja e Parë” e zgjedhur. E vitlindjes 1968 ajo ka ushtruar disa funksione në administratën shtetërore si punonjëse, ku ndër të fundit ishte edhe specialiste IT pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Familja e re presidenciale përbëhet nga katër anëtarë, ku veç Presidentit të zgjedhur, Bajram Begaj dhe bashkëshortes së tij, Armanda janë edhe dy djemtë.
Ndërkohë, sipas formularit të dekriminalizimit, familja Begaj nuk ka jetuar asnjëherë jashtë Shqipërisë.
Në formular, Bajram Begaj i është përgjigjur me jo pyetjes nëse ka jetuar jashtë vendit për më shumë se një muaj.
Bajram Begaj ka lindur në Rrogozhinë në 1967-n. Ai mban gradën ushtarake gjeneral, ndërsa titullin shkencor Profesor i Asociuar. Familja e re presidenciale jeton prej vitesh në Tiranë.
