Pas votimit të orës 18:00 të së shtunës, Bajram Begaj do të jetë Presidenti i tretë me formim e profil ushtarak në krye të shtetit në tre dekada pluralizëm.
Pra tij nga radhët e ushtrisë kanë dalë emrat e Alfred Moisiut dhe Bujar Nishanit. Por, për dallim nga të tjerët, Bujar Nishani ishte larguar prej vitesh nga karriera e ushtarakut në momentin që u zgjodh President.
Prandaj, Bajram Begaj mund të krahasohet më shumë me ish-Presidentin Alfred Moisiu dhe ndoshta këtë ka pasur në mendje Kryeministri Edi Rama në përzgjedhjen e emrit të pasuesit të Metës në këtë institucion.
Ashtu si Moisiu, edhe Begaj shkon në Presidencë me një përvojë të gjatë në ushtri. Dallimi i vetëm është nëse Moisiu ishte një emër konsensual, Begaj vjen si një propozim ekskluziv i socialistëve dhe jo për fajin e tyre. Opozita dhe Partia Demokratike u vetëpërjashtuan nga procesi i identifikimit të emrave.
Por, a po kërkon Rama që të rikthejë në Presidencë një sozi të Alfred Moisiut? Ndoshta po, ndoshta edhe jo. Bajram Begaj mbetet për t’u testuar në pesë vitet e ardhshme, duke filluar që prej 24 korrikut, kur pason Ilir Metën.
Një krahasim paraprak mund të bëhet mbi Presidencën e Alfred Moisiut, i konsideruar si Presidenti më i mirë që ka pasur vendi. Megjithëse i zgjedhur me konsensus, Alfred Moisiu mandatin 5-vjeçar në Presidencë e kaloi 3 vite me socialistët dhe dy me demokratët. Me të dyja palët u përplas, si me Fatos Nanon para 2005-s, ashtu edhe me Sali Berishën pas 2005-s.
Ai është sot Presidenti më pak i përfolur. Nëse Berisha para ’97-s u përpoq të shndërronte vendin thuajse në një monarki presidenciale me Kushtetutën e 1994-s, Rexhep Mejdani ishte një president i njëanshëm i socialistëve.
Bamir Topi u akuzua për emërime nepotike dhe korruptive në sistemin e drejtësisë, ndërsa Bujar Nishani ishte sërish i njëanshëm dhe në fund Ilir Meta e ka rreshtuar institucionin përballë mazhorancës dhe në krah të opozitës.
Asnjë i ngjashëm me Moisiun nga të gjithë këta. Bajram Begaj ka mundësinë që të jetë i tillë, megjithëse me kompetenca shumë herë më të reduktuara për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s.
Presidenca e Moisiut vendosi një standard, që u ndoq pak, ose nuk u ndoq fare më pas. Stafi i tij teknik e ushtarak ishte i përzier me përkrahës nga të dyja forcat politike dhe me gjuhën sa diplomatike e autoritetin e ushtarakut u përball po me të dyja kahet.
Nano nisi kritikat ndaj tij që në nëntor të 2003-t, pak muaj pasi kishte marrë detyrën. Si Kryeministër, Fatos Nano e akuzonte se po shkelte Kushtetutën.
“Unë më duket se jam brenda Kushtetutës gjithmonë, nuk lëviz”, i përgjigjej Moisiu.
Nano siç duket e kuptoi se përballë vendosmërisë së gjeneralit President çdo presion e tundim ishte i kotë dhe i moderoi më vonë akuzat ndaj tij. Por, përplasja me Berishën ishte më e fortë, aq sa në një libër me kujtime të publikuar në 2009-n, Alfred Moisiu kujton se si ish-Kryeministri i PD i kishte bërë presion.
"Shkon drejtori i Aviacionit Civil, Gazmend Dibra, u bënte presion nipave të mi që kishin kompani ajrore. ‘I thoni dajës të firmosë shkarkimin e prokurorit, edhe çdo gjë zgjidhet mirë.’ Ky ishte një lloj rikatimi (presion) i tipit mafioz. Si ka mundësi që kryeministri t’i bëjë rikatim (presion) presidentit, kryetarit të shtetit”, thotë Moisiu.
Presioni i Berishës lidhej me synimin e ish-Kryeministrit për të shkarkuar Theodhori Sollakun. Përpjekjet e tij sa kohë në Presidencë ishte Moisiu dështuan. Berisha e shkarkoi Sollakun vetëm pasi çoi në Presidencë Bamir Topin, edhe me vota ‘të blera’ nga radhët e socialistëve.
Në vend të Theodhori Sollakut u zgjodh Ina Rama. Ironikisht, si Topi, ashtu edhe Ina Rama shpejt do të sulmoheshin nga Berisha, me akuza që kulmuan pas 21 janarit. “Horra e lavire bulevardi”, deklaronte ai.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.