Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e prezantoi formulën e re të gjetur për ndërtimin e 21 kilometrave të rrugës Thumanë-Kashar, pjesë e atij që njihet si “Korridori Blu” si fitore të madhe, pasi qytetarët nuk do të paguajnë asnjë lek për ndërtimin e saj.
Formula e zgjedhur është ajo e koncesionit të dhënë për dy kompanitë e Bashkim Ulajt, Gener 2 dhe G2 Infra. Balluku e paraqiti me doza thuajse ‘bamirësie’ ndërtimin e kësaj vepre, ndërsa realiteti duket krejt tjetër.
Publikimi i kontratës së koncesionit zbulon se ai është koncesioni më i shtrenjtë i dhënë ndonjëherë nga qeveritë shqiptare dhe me të ardhura të garantuara nga buxheti i shtetit në 8 vitet e para të ndërtimit dhe operimit të rrugës.
Shifra minimale, që Bashkim Ulaj synon të arkëtojë në 35 vitet e këtij koncesioni është 1.3 mld euro, por që shkon deri në 1.5 mld euro, ose sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto që Shqipëria ka aktualisht.
Për vitet e tjera, kostot e mirëmbajtjes ulen ndjeshëm, ndërsa përveç tyre, Qeveria do të paguajë në 8 vitet e para të paktën 15 mln euro. Ndërkohë, kompania parashikon që të ardhurat nga pagesa për kalimin në rrugë të rriten progresivisht vit pas viti, duke arkëtuar nga 25-26 mln euro në vitet e parë të koncesionit në të paktën 63 mln euro në vitin e 35-të të tij.
Shifrat garantojnë një fitim mbi 1 mld euro përgjatë të gjithë periudhës së koncesionit, ku shpenzimet janë ndërtimi, që me kosto të fryra përllogaritet në rreth 225 mln euro.
Kjo e bën këtë koncesionin më të majmë të dhënë ndonjëherë nga qeveritë shqiptare, ndërsa të gjithë aktorët heshtin përballë këtij skandali, përfshi edhe opozitën që u investua për muaj me radhë te koncesioni i inceneratorëve duke akuzuar se po grabiteshin 430 mln euro për 35 vite.
Por, po për 35 vite shqiptarëve po u grabiten thuajse tre herë më shumë dhe çuditërisht opozita ‘ajo e vërteta’, siç e quan Sali Berisha është në një heshtje varri. Në heshtje janë edhe ata që sulmuan koncesionin e Rrugës së Kombit, me një kosto rreth 300 mln euro, apo pesë herë më të vogël se Thumanë-Kashar, apo ata që sulmuan koncesionet në shëndetësi, që ndoshta me të drejt ngritën alarmin për fitimet e kompanive pa djersitur fare.
Megjithatë, skandali i Thumanë-Kashar merr të tjera përmasa po të kihet parasysh që aksi prej vetëm 21 kilometrash në pjesën më të madhe të tij do të kalojë në gjurmë ekzistuese rrugësh dhe për më tepër është pjesë e Korridorit Blu të nxitur nga Bashkimi Europian, që synon lidhjen me superstradë të Kroacisë në Veri me Greqinë në Jug.
Ky korridor kalon në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, Shqipëri dhe vazhdon përgjatë bregdetit drejt jugut në Greqi. Për financimin e tij, BE është vetëofruar përmes paketës 30 mld euroshe, por duke e kushtëzuar ndihmën me paraqitjen e një projekti serioz dhe pa fryrje kostosh.
Por, financimi nga BE me shumë gjasa do të linte jashtë oligarkun Bashkim Ulaj, që pasi dështoi me skemën te Unaza e Re, këtë herë ‘i polli gjeli’ te Ministria e Infrastrukturës dhe i dha vezën e artë 1.5 mld euroshe për 35 vite.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.