Shënim: Në përpjekje për të mbrojtur e justifikuar të pambrojtshem dhe të pajustifikueshmen, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë këpusin mufka njëra pas tjetrës.
Ishte radha e zv.ministres Mira Rakacolli këtë herë, që të fajësonte Amerikën dhe Zvicrën se përse mjekët dhe infermierët në Shqipëri po marrin arratinë drejtë Gjermanisë.
Rakacolli tha se ata nuk po ikin vetëm për rroga. Mund të ketë pjesërisht të drejt. Një pjesë mund të paguhen mirë në Shqipëri, por zgjedhin që të ikin edhe nga mungesa e perspektivës për të bërë karrierë brenda sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Çfarë ja vret këtë perspektivë? Punësimet nepotike, korrupsioni, promovimi në detyra e pozicionet e lakmuara të të paaftëve, servilëve, të familjarëve miqëve dhe i njerëzve të partisë janë të gjitha kontribueset kryesore.
Sot, brezi i ri i mjekëve profesionistë e përdor sistemin shëndetësor publik për praktikë dhe si trampolinë për t’u hedhur te spitalet private, ose në rastin më të mirë për t’u hedhur jashtë vendit, atje ku vlerësohen për atë se çfarë janë, jo se çfarë kanë.
E të thuash se gjermanë po ikin në Zvicër e Amerikë është mufka e radhës dhe alibi që nuk ka b... ku të qëndrojë. Që edhe gjermanët emigrojnë nuk është zbulim i Rakacollit dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri. Por, ta hiperbolizosh emigrimin e mjekëve gjermanë në përmasa të tilla sa Gjermania të kërkojë mjekë shqiptarë është e tepërt.
Pas kësaj qëndron vetëm një e vërtetë; që ashtu si sektorët e tjerë, edhe shëndetësia në Shqipëri nuk ka ngritur dot një sistem merite e promovimit të të aftit e profesionistit, por ka mbetur në moçalin e korrupsionit dhe nepotizmit që Rakacolli e të tjerët në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë ditur, nuk dinë, ose nuk kanë dashur e nuk duan që ta pranojnë dhe luftojnë.
T’u shesësh sot mjekëve dhe infermierëve të rinj sistemin shëndetësor si parajsë është si të shesësh sapunin për djathë. Vetëm pak ditë më parë u denoncua mungesa e ilaçeve për fëmijët e sëmurë me tumore.
Kaq i pashpirt është sistemi i ndërtuar dhe ata që përballen të parët me zemërimin e drejt të qytetarëve për këto mungesa janë bluzat e bardha, që në jo pak raste janë dhunuar. Ky zemërim është një faktor plus që i shtyn të emigrojnë në Gjermani, edhe pse atje e dinë që nuk i pret parajsa.
Madje, shumë infermierë e mjekë që kanë zgjedhur të largohen andej e kanë nisur nga azilet e pleqëve. Por, kanë sakrifikuar sepse atje kanë shpresën dhe besimin se puna do t’u vlerësohet, si financiarisht, ashtu edhe moralisht dhe përmes promovimit në karrierë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.