Pse po e mbajnë socialistët të fshehtë emrin e Presidentit?

1 June 2022, 21:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse po e mbajnë socialistët të fshehtë emrin e Presidentit?
Kryeministri Edi Rama

Të gjitha përpjekjet e mediave dhe gazetarëve për të siguruar edhe jozyrtarisht një emër që po diskutojnë socialistët për President të ri të vendit kanë marrë këto ditë të njëjtën përgjigje; emrat mësohen vetëm pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë ditën e shtunë.

Mbledhja e grupit është thirrur në orën 10:00 të paradites, që do të thotë se në rastin më të mirë rreth mesditës do të ketë një emër që do të dalë nga kjo mbledhje dhe me gjasë edhe njeriu që do të pasojë Metën në Presidencë.

Nga mesdita deri në orën 18:00, kur është thirrur mbajtja e raundit të katërt të votimit janë 6 orë kohë, një kohë minimale që mediat dhe publiku të mësojnë më shumë për kandidatin për President, para se ai ose ajo të zgjidhet.

Cilido qoftë fituesi, apo fituesja, shmangia nga diskutimi publik i kandidatit, apo kandidates në mos s’e njollos, dëmton besueshmërinë e përzgjedhjes së emrit. Së pari, nuk do t’i jepet kohë publikut që të njihet me emrin dhe vetë socialistët nuk do të marrin mbrapsht përshtypjet e qytetarëve për kandidatin, apo kandidaten nëse do të jenë pozitive apo negative.

Në të dyja rastet zgjedhja do të vazhdojë përpara. Por, ky nuk është problemi më i madh. Problemi më i madh është mundësia që emri që do të dalë të përsërisë kandidaturën e analistit Artan Hoxha në 2012-n. Ai ishte zgjedhja e parë e Sali Berishës, në atë kohë në pushtet pas dështimit të bisedimeve me Edi Ramën në opozitë.

Por, ditën që do të votohej Artan Hoxha u tërhoq pas akuzave se kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit në fillim të viteve ’80. Ai i mohoi akuzat, por pranoi se ishte kontaktuar nga një sigurims që i kishte kërkuar të bashkëpunonte, por se i kishte thënë “jo të prerë”. Pas tërheqjes së tij, mazhoranca e kontrolluar nga PD zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani.

Teorikisht, socialistët mund të kenë zënë mend nga kjo ndodhi e 2012-s, por po teorikisht mundësia që emrit të propozuar prej tyre t’i dalin cene ekziston, por me dallimin nga 2012-a që këto cene do ta shoqërojnë më pas si President të zgjedhur dhe pas 24 korrikut si President të vendit.

Prandaj, cila është arsyeja që PS mban në sirtar emrin e Presidentit të ri, apo Presidentes së re të vendit, duke ushqyer gjithnjë e më shumë edhe dyshimet e akuzat se po kërkon kapjen e institucionit?

Sepse ka një perceptim që sa më shumë e vonojnë socialistët emrin, aq më shumë bëhen të besueshme akuzat se atyre u duhet presidenti për të firmosur çuarjen e detit me Greqinë në Hagë, për të firmosur planin e ri të përhapjes së Forcave të Armatosura e të tjera afera, që janë të dyshimta dhe në rastin e parë mund të shkojnë deri në tradhti kombëtare.

Prandaj, nëse PS kërkon të mbajë zotimin për një president që nuk do të përfaqësojë vetëm shumicën në Parlament, emri duhet të hidhet për konsultim, sepse vetë PS nuk është shumica e shqiptarëve me 800 mijë votat e marra nga 3.59 mln votues të regjistruar për zgjedhjet e vitit të kaluar. Ai s’mund të jetë ‘sekret shtetëror’.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video