Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan njihen për një miqësi shumë të afërt me njëri-tjetrin, por duket se tashmë kjo i përket të shkuarës. Burime diplomatike bëjnë me dije se ata kanë ndërprerë komunikimin me njëri-tjetrin dhe shkak është bërë mosplotësimi i kushtit që Erdogan i vendosi Ramës gjatë vizitës më 17 Janar të këtij viti në Shqipëri.
Ai deklaroi atëherë se popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri Lëvizja Hizmet e klerikut, Fetullah Gulen gjen fushëveprim dhe i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare që të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar gylenistët si një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve.
Por, kjo kërkesë e Erdogan u refuzua nga kryeministri Edi Rama. Pak ditë pas vizitës, kreu i Qeverisë shqiptare i shpreh për mediat: “Nuk i kemi asnjë borxh presidentit të Turqisë dhe Turqisë, sikundër as presidenti i Turqisë dhe Republika e Turqisë nuk na kanë asnjë borxh, sepse mes miqsh dhe mes një miqësie vëllazërore nuk ka asnjë borxh”, tha Rama.
Duket se nga ky moment pati një krisje të miqësisë Erdogan-Rama.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka anuluar tenderin për akomodimin e mjekëve dhe infermierëve turq që do shërbejnë në Spitalin Memorial në Fier. Tenderi ishte me vlerë fondi limit 388 milionë lekë të planifikuara për t’u harxhuar nga buxheti i qeverisë shqiptare. Sipas kontratës së publikuar, maksimumi i personave që do flenë në hotel do të jetë 38.
Në njoftimin zyrtar të publikuar më 30 Maj, thuhet se anulimi i tenderit është bërë në zbatim të nenit 98 të Ligjit Nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”, me justifikimin se në fazën e parë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.
Por, tenderi ishte me një fazë dhe me një operator ekonomik dhe në tender janë paraqitur 5 subjekte private “Hoteleri” nga qyteti i Fierit, me oferta 15%-20% më pak se fondi limit.
Kjo ngre dyshime se dhe ky vendim mund të ketë lidhje me krisjen e miqësisë Rama-Erdogan. Gjatë muajit Maj qarkulluan zëra se presidenti turk ktheu mbrapsht 13 mjekë, për shkak të mosplotësimit të kushtit nga ana e Ramës.
Nuk dihet se sa e vërtetë është një gjë e tillë, por vendimi i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë shton akoma më shumë dyshimet.
Një tjetër fakt që vlen të përmendet është dhe xhamia e Namazgjasë. Ishte premtuar se ajo do i hapte dyert ditën e Fiter Bajramit, por ka kaluar rreth një muaji nga ajo ditë dhe dyert e xhamisë më të madhe në Shqipëri në qendër të kryeqytetit vazhdojnë të jenë të mbyllura. Duket se e gjitha ka lidhje me mos “pastrimin” e Komunitetit Mysliman Shqiptar nga gylenistët.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.