Qytetarët ankohen për vendimin e Bordit të çmimeve që e çoi një litër naftë thuajse 250 lek për litër dhe kanë bërë thirrje për protesta. Ata akuzojnë Bordin se është shndërruar në vegël që po ligjëron monopolin e Kastratit dhe të Gegës në tregun e karburanteve.
Shqetësimit të qytetarëve për momentin duket i vakët dhe vetëm në rrjetet sociale. Megjithatë, atyre u është bashkuar edhe deputeti socialist, Erion Braçe. Edhe ai thotë se çmimet janë abuzive dhe nuk reflektohen luhatjet në bursat ndërkombëtare kur ky çmim është në ulje.
Megjithatë, Kastrati dhe Gega janë përgjigjur përmes Shoqatës së Hidrokarbureve. Shoqata pretendon se gjoja po shet me humbje karburantin dhe se Bordi dhe çmimet e vendosura prej tij po e penalizojnë. Shoqata thotë se në datën 1 qershor ka humbur 3 lek për litër në shitjen e naftës dhe 2.7 lek për litër në rastin e benzinës.
Por, a po kontrollon bordi Kastratin e Gegën, apo Gega e Kastrati bordin? Për këtë le të shohim përbërjen e trupës që cakton çmimet e karburanteve. Bordi i transparencës së çmimeve përbëhet nga 13 anëtarë. Shtatë janë përfaqësues të Qeverisë dhe gjashtë janë të kompanive të importimit të karburantit dhe ushqimeve.
Sipas pikës 4 të nenit 3 të aktit normativ që ngriti këtë bord, vendimmarrja e kësaj trupe bëhet me shumicë të thjeshtë dhe përfaqësuesit e Qeverisë, që në karriget përballë përfaqësuesve të oligarkëve të naftës ulen si mbrojtës të interesit publik nuk kanë asnjë të drejtë vetoje.
Pra, mjafton që njëri nga shtatë përfaqësuesit e Qeverisë të mendojë ashtu si përfaqësuesit e bizneseve të karburanteve dhe vendimmarrja anon nga xhepi i tyre. Kjo është edhe arsyeja që prej disa mbledhjes seri bordi vetëm e ngre çmimin e karburanteve, pavarësisht luhatjeve në treg të tij.
Rritja e çmimit ndoshta po i pëlqen edhe Qeverisë, pasi arkëton më shumë në buxhet në formën e akcizës dhe TVSh-së duke e kaluar te qytetarët të gjithë barrën e rritjes së çmimeve, përfshi këtu edhe rritjen abuzive të tyre, ndërsa publikisht krijon përshtypjen se po i mbron qytetarët.
Karburantet në bursat ndërkombëtare këtë të enjte ranë pas vendimit të OPEC për të rritur sasinë e prodhimit të naftës bruto. Megjithatë, Bordi i ashtuquajtur i transparencës, por që transparencën e ka vetëm në emër nuk dihet nëse do të mblidhet e të rishikojë me ulje çmimin, apo do të mbajë këtë çmim për t’u shmangur gjoja humbjet Kastratit dhe Gegës.
Ajo që përforcon bindjen se bordi është vegël e kompanive që kanë duopolin e karburanteve është fakti që çmimet në rritje reflektohen menjëherë në shitjen me pakicë në Shqipëri, ndërsa kur ato ulen, reflektimet mbërrijnë me vonesë dhe janë të vakta megjithëse kompanitë deklarojnë se kanë depozita për mijëra tonë karburant.
Si shembull, Kastrati Group deklaron se ka çisterna depozita në Porto Romano me kapacitet 75.000 tonë. Grupi ka gjithashtu edhe të tjera objekte për transport tokësor të një kapaciteti prej 30.000 tonësh. Objektivi i Kastratit, sipas asaj që thotë vetë në faqen zyrtare është shtimi i depozitave në 120 mijë tonë.
Por, Kastrati e shet litrin e karburanteve si të kishte depozitat, duke reflektuar menjëherë rritjen e çmimeve në bursa. Pse? Konsumi mesatar ditor i karburanteve në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit të kaluar është rreth 1750 tonë në ditë. Pra, sikur të mos importojë fare, vetëm depozitat e Kastratit, pa përfshirë këtu të Gegës dhe të kompanive të tjera furnizojnë Shqipërinë për rreth 40 ditë.
Me bordin nën kontroll dhe qeverinë që po u legalizon abuzimin në treg përmes bordit, viktimat janë qytetarët...po shoqëria civile ku është?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.