Ilir Meta mund të jetë përmendur në dëshminë e dhënë para Prokurorisë së Posaçme, ashtu siç thotë gazetari Artan Hoxha. Mund edhe të mos e ketë përmendur, ashtu siç thotë vetë Prokuroria e Posaçme përmes një deklarate të rrufeshme pas deklaratës së Hoxhës.
Të vërtetën në këtë rast e di vetëm Dumani. Por, më 25 qershor të 2017-s, ditën e zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Ilir Meta i veshur me kostumin e Presidentit të zgjedhur shpërthen nga Lezha në lidhje me një incident të ndodhur në një qendër votimi në Shëngjin, ku i përfshirë ishte një mbështetës i LSI-së.
Meta përmend disa persona me mbiemrin Ndoka, që thotë se janë të lidhur me krimin dhe shfaqet me një ton kërcënues për ta.
“Zagarët e kryesadistit, të cilëve u thuhet se nëse nuk mbushni kutitë nesër do të përfundoni në burg. Ata kutitë nuk kanë për t’i mbushur dhe ora e gjykimit të drejtësisë, se populli po e jep gjykimin dhe gjykimi i popullit është i padiskutueshëm dhe i pacenueshëm. Ora e drejtësisë do të fillojë që nesër. Do të ketë surpriza ua kam thënë”, deklaronte Meta në atë kohë.
Pesë muaj pas kësaj deklarate, vritet me armë zjarri Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Ai u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në makinën e tij. Babai i katër fëmijëve ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës që prej vitit 2015 dhe ishte pronar i një biznesi privat. 48-vjeçari u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në lagjen "Nënë Tereza".
Autori, apo autorët e vrasjes janë ende mister, po ashtu si arsyet e shkaqet e ekzekutimit të tij, që nuk ishte skeduar si persona problematik në Lezhë.
Ndërkohë, sa për gjykimin e popullit në ato zgjedhje dihet rezultati i tyre, por sa i takon vendosjes së drejtësisë është me kuptim të shumëfishtë deklarata e Metës, President i zgjedhur në atë kohë dhe President në fund të mandatit sot.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.