Miratohet marrëveshja për menaxhimin e Parkut të Butrintit, sa deputetë ishin pro

23 May 2022, 20:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Miratohet marrëveshja për menaxhimin e Parkut të Butrintit, sa
Lindita Nikolla gjatë seancës

Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro marrëveshja për menaxhimin e Parkut të Butrintit. Seanca është shoqëruar me debate të shumta pas kundërshtimeve nga ana e opozitës megjithatë shumica i shkoi deri në fund zotimit të saj duke kaluar projektligjin.

Marrëveshja e nënshkruar nga Ministria e Kulturës me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit parashikon dorëzimin te ky fondacion menaxhimin dhe të drejtat zhvillimore, përfshirë këtu edhe ndërtimet jo vetëm brenda zonës arkeologjike, por edhe në një perimetër të gjerë përreth saj.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Fondacioni për Menaxhimin do të ndërtojë qendrën e re të vizitorëve, që ndodhet rreth një kilometër larg zonës arkeologjike, ku është hyrja aktuale. Marrëveshja përcakton gjithashtu se fondacioni ka në dorë menaxhimin e të gjitha objekteve kulturore në të Butrintit dhe mund t’i transferojë ato jashtë me lejen e Ministrisë së Kulturës.

Ndërkohë, Fondacioni do të aplikojë për leje zhvillimore, leje ndërtimi, leje mjedisi, leje peizashi kulturor, leje për ndërhyrje në pasuritë kulturore të paluajtshme dhe të luajtshme, licencë për qarkullimin e përkohshëm të pasurive të luajtshme kulturore, licencë importi të pasurive kulturore dhe çdo leje, apo licencë, ose miratim tjetër të nevojshëm. Sipas marrëveshjes, nëse fondacionit i refuzohet ndonjë leje, licencë apo autorizim atij i lind e drejta që të tërhiqet nga ky pakt.

Sipas aktit të regjistrimit të fondacionit në Gjykatën e Tiranës, që në korrik të vitit të kaluar, anëtarët e bordit të fondacionit janë Elva Margariti, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli, Flonja Boriçi dhe Richard Hodges. Ndërkohë, drejtor ekzekutiv është caktuar arkeologu Lorenc Bejko.


Video