Oficerë të policisë italiane dhe holandeze kanë ardhur që sot në Tiranë në kuadër të finales së Uefa Conference League Roma-Feyenord që do të luhet të mërkurën në "Air Albania".
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili ka postuar disa foto në rrjetet sociale ku i ka pritur oficerët e policisë holandeze dhe italiane së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Çuçi shkruan se qëllimi i përbashkët ështëqë ky eveniment historik i futbollit europian të shkojë siç duhet, teksa shton më tej se janë marrë të gjitha masat që të kalojë pa asnjë incident.
"Me disa oficerë të policisë italiane që kanë ardhur në Tiranë për bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit për mbarëvajtjen e finales së UEFA Conference League. Krahas tyre janë në vendin tonë edhe oficerë nga Holanda. Gjithçka për një qëllim të përbashkët që ky eveniment historik i futbollit europian të shkojë siç duhet. I kemi marrë të gjitha masat që kjo ditë feste të kalojë pa asnjë incident." shkruan Çuçi.
Vlen të theksohet fakti se tifozeria e Feyenord njihet si e dhunshëm dhe me huliganizëm të theksuar, ku nuk përjashtohet mundësia e një përleshjeje mes dy tifozerive.




