“Më goditën me grusht edhe gruan”, zbardhet dëshmia e gazetarit Elvis Hila: Kush ishin personat që më rrahën dhe kërkonin llogari për ...

25 Janar 2023, 20:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Elvis Hila

Gazetari i Lezhës, Elvis Hila është dhunuar pasditen e sotme nga dy persona. Sipas dëshmisë së tij, ai është sulmuar për shkak të detyrës nga Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri për shkak të një lajmi të publikuar ditën e sotme.

Në dëshminë e tij në polici, Hila ka deklaruar se pas publikimit të një lajmi është telefonuar nga një person, i cili e ka sharë, ofenduar dhe kërcënuar. Më pas ai thotë se është telefonuar edhe nga një person tjetër, me të cilin la edhe një takim.

Hila sqaron se bashkë me gruan kanë shkuar tek vendi që lanë për t’u takuar, ndërkohë që nga një makinë Golf 6 kanë dalë dy persona, të cilët kanë tentuar ta nxjerrin me forcë gazetarin.

Në këto momente thotë Hila, nga makina e tij ka zbritur bashkëshortja, e cila ka tentuar të telefonojë policinë, por është goditur me grusht nga personat në fjalë. Pas ngjarjes, Hila dhe bashkëshortja e tij kanë shkuar në spital, ku edhe kanë marrë trajtimin mjekësor.

Gjithçka dyshohet se lidhet me lajmin që Report Tv ka publikuar ditën e sotme për një person që është dënuar në Lezhë me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh.

DËSHMIA E GAZETARIT

“Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin “+355693638336″ i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit. Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës.

Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri. Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina.

Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar. Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin.

Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës. Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina. Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte. Bashkëshortja ime ka hipur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura. Proces verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje”, ka dëshmuar në polici, gazetari Hila.

Video