
Dy persona kanë dhunuar korrespondentin e Report Tv për Lezhën, Elvis Hila së bashku me bashkëshorten e tij, pasditen e kësaj të mërkure.
Dy autorët e dyshuar janë shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia pas denoncimit të gazetarit.
Ata i kanë dalë përpara gazetarit Elvis Hila dhe e kanë dhunuar së bashku me gruan e tij, e cila ka tentuar të ndërhyjë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës.
Gjithçka lidhet me lajmin që Report Tv ka publikuar ditën e sotme për një person që është dënuar në Lezhë me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh.
Njoftimi:
"Lezhë. Goditen për shkak të detyrës një gazetar, shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shpallën në kërkim shtetasit I (E). A 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati.
Këta shtetas, rreth orës 16:40, në qytet Lezhë, i kanë dalë përpara shtetasit E.H., 32 vjeç, banues në Lezhë, me profesion gazetar, si dhe e kanë dhunuar fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij shtetasen B. H., e cila në ato momente ka ndërhyrë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se, këta shtetas e kanë dhunuar fizikisht gazetarin për shkak të detyrës.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre", njofton policia.