Kush është Suel Çela, bosi i krimit në Elbasan (Skeda kriminale)

19 May 2022, 18:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush është Suel Çela, bosi i krimit në Elbasan (Skeda
Suel Cela dhe foto nga ngjarja e shtatorit 2017, kur sfidon një postbllok policie në Elbasan

Deri në shtator të 2017-s, fama e Suel Çelës nuk shkonte përtej Elbasanit. Megjithatë, në këtë qytet ai ishte ‘padron’ dhe këtë e konfirmoi në atë kohë karshillëku i bërë pranë tregut të fruta-perimeve një postblloku të policisë.

Çela me Audin e tij luksoz për pak sa nuk shtypi efektivët e policisë që e ndaluan për kontroll. Pamjet që u publikuan treguan mjetin duke hyrë në mjediset e brendshme të tregut të fruta-perimeve, ku roja mbyll menjëherë derën duke mos lejuar policinë që ta ndjekë nga pas.

Por, megjithëse publiku përtej Elbasanit e njihte pak, ose aspak, për policinë dhe organet ligjzbatuese ai ishte pjesë e një kontigjenti me akuza e vepra të rënda penale mbi shpinë. Ai rezulton i dënuar në Itali për trafik droge, por megjithëse i tillë u është shmangur disa herë përpjekjeve për ta arrestuar dhe ekstraduar.

Një proces i gjatë gjyqësor u zhvillua për këtë çështje, që u mbyll në fillim të 2020-s me shpalljen të pafajshëm nga ana e Gjykatës së Elbasanit. Kjo ishte fitorja e dytë e Suel Çelës ndaj drejtësisë. Të parën e arriti në nëntor të 2019-s, kur u shpall i pafajshëm për përplasjen me policinë në shtator të 2017-s.

Në atë ngjarje ai përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.

Kush është Suel Çela, bosi i krimit në Elbasan (Skeda

Sueli është djali i Petrit Çelës, pronari i tregut ushqimor në Elbasan dhe biznesmen i njohur në këtë qytet. Nga PD, ai është akuzuar për lidhje të forta me ish-kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Lidhja Sejdini-Çela, sipas PD përforcohej edhe nga lidhja dhe bashkëpunimi në grup të strukturuar kriminal mes Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, ky i fundit dhëndrri i ish-kryebashkiakut.

Në vitin 2017, fill pas incidentit tek tregu ushqimor, në media doli lajmi se policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë referuar në atë Prokurorinë e Krimeve të Rënda materiale dhe dokumente, ku përmenden hotele dhe biznese që dyshohet se u përkasin familjeve Çapja dhe Çela.

Asokohe thuhej se do të verifikoheshin pasuritë e Petrit Çelës, ku përfshihen Tregu Agro-Ushqimor, shtëpi, vila dhe dyqane në qytetin e Elbasanit.

Edhe pse u tha se kanë nisur hetimet, pasuritë e tyre nuk u preken asnjëherë. Kontrolli i dytë i pasurisë së Suel Çelës mbërriti në fillim të 2020 në kuadër të OFL-së. Se çfarë ka gjetur OFL në këtë hetim të dytë, zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë, por dosja në ngarkim të tij ishte në listën e dosjeve që u dorëzuan në SPAK për hetime të mëtejshme.

Vrasës i lindur

Telashet me drejtësinë të Suel Çelës datojnë që në 2006-n, por në të gjitha rastet deri më tani ai ja ka dalë mbanë që t’i shmanget qelisë për një kohë të gjatë.

Krimi i parë për të cilin u akuzua ishte vrasja me armë zjarri në Roland Mustës në Elbasan.

Çela, në atë kohë 20 vjeç dhe me banim në të njëjtën lagje u arrestua si i dyshuar në Shkodër.

Ndaj tij u ngritën akuzat e vrasjes me paramendim dhe prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake.

Në vendngjarje, policia gjeti 3 gëzhoja të dala nga një armë zjarri. Në të njëjtën kohë policia bllokoi edhe kartat e telefonit dhe mori dëshmi nga banorë të pallatit dhe lagjes ku ndodhi ngjarja.

Por, në fund të shqyrtimit të dosjes deklaroi pavlefshmërinë e procesverbalit të sekuestrimit të provave materiale, pavlefshmërinë e këqyrjes së një karte telefonike, pavlefshmërinë e procesverbaleve të dokumentimit të përgjimeve, pavërtetësinë e deklarimeve të prindërve të viktimës dhe të dëshmitarëve të tjerë.

Pas kësaj, Suel Çela u lirua në sallën e gjyqit, vendim i cili është kundërshtuar ashpër nga familjarët e viktimës. Une jam Marsida Musta, dhe sapo lexova kete artikull.

Gjyqtarët që liruan Suel Çelën në atë kohë ishin: Pajtime Fetahu, Zihni Shahu (të arrestuar nga SPAK) dhe Bujar Musta.

Letra e fisit Çapja për Saimir Tahirin në 2016

Në nëntor të 2016, në zyrën e Saimir Tahirit ka mbërritur një letër nga fisi Çapja që i shpjegonte të gjithë lidhjen e Qazim Sejdinit me një grup të fuqishëm kriminal në trafikun e drogës dhe që vihej nën akuzë për disa vrasje.

Kush është Suel Çela, bosi i krimit në Elbasan (Skeda

Anëtarët e tij i kërkonin të hetonte këtë grup kriminal si përgjegjës për masakrën e fillim-shkurtit 2016 me 3 të vrarë e 8 të plagosur nga fisi i tyre. “Ky grup – shkruhet në letër – ka lidhje familjare me Qazim Sejdinin dhe gëzon mbështetje dhe mbrojtje të fortë politike prej tij”.

Fisi, autor i kësaj letre ishte pjesë e një spiralje hakmarrjesh, që në më shumë se një dekadë ka shkaktuar 11 viktima në përplasjen me fisin Mema. Përmendja e Qazim Sejdinit e bënte politikanin lokal potencialisht shenjestër të tij.

Saimir Tahiri i kërkoi pa vonesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakos, që të garantonte sigurinë e Sejdinit. Një eksortë u vendos menjëherë në mbrojtje të “Lalës së Elbasanit”.

Sapo vunë në dijeni Saimir Tahirin për dyshimet që kishin ndaj grupit që drejtohej nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i Qazim Sejdinit, një grup i policisë kriminale u dërgua për t’i mbajtur nën vëzhgim Çapjat. Në letrën drejtuar Saimir Tahirit, fisi Çapja e njoftonte se nën presionin e Qazim Sejdinit, policia mund të ishte e kompromentuar.

Në lojë edhe politika

Konfrontimi i Ditës së Verës para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar ishte tregues se fushata në Elbasan nuk do të ishte e qetë. Ky qark, prodhon 14 mandate deputetësh dhe është jo pak përcaktues për animin e peshores së shumicës.

Kush është Suel Çela, bosi i krimit në Elbasan (Skeda

Problemet që mund të lindnin, i kishte nuhatur edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. Ajo e vizitoi Elbasanin më 10 mars.

Incidenti i 14 Marsit, risolli në fokus flirtin e politikës me krimin dhe lidhjet me bandat. Në Elbasan prej vitesh operojnë në rivalitet të egër mes tyre dy 2 grupe kryesore: fisi Çapja dhe fisi Çela.

“Grupet kriminale në Shqipëri përherë identifikohen gjithmonë si mbështetës të një krahu politik në Elbasan. Kemi lexuar të njëjtën gjë, njëri grup Çapjat që mbështet të djathtën dhe njëri grup Çelajt me të majtën, nuk është e parealizueshme”, thotë gazetari Ferdinand Dervishi.

Vitet e fundit është vënë re fuqizimi i familjes Çela përkundrejt Çapjave që sot vuajnë edhe përballjen me ligjin. Ardian Çapja është arrestuar në gjyq për akuzën e organizimit të vrasjes me pagesë të Gentian e Nezir Beqirit në vitin 2012. Ndërkohë, edhe nipi i tij Florenc Çapja u arrestua në Dubai për të njëjtën akuzë. Ndaj Çapjave është hapur një tjetër dosje e vjetër për akuzën e vrasjes.

Me Çapjat e dobësuar dhe të ndodhur nën goditjen e vazhdueshme të autoriteteve ligjzbatuese, grupi i Çelajve, i udhëhequr nga Suel Çela kishin dorë të lirë në Elbasan.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video