Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar operacionin e sotëm të SPAK dhe Policisë së Shtetit, ku u lëshuan 32 urdhër-arreste për goditjen e bandave të krimit, edhe pse disa prej tyre ndodheshin prej muajsh pas hekurave, ndërsa "kokat" e krimit si Ervis Martinaj, Suel Çela dhe Talo Çela vazhdojnë ende të jenë në kërkim.
Në një postim në Twitter, Rama shkruan se ky operacion është shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar.
"Operacioni i sotëm i SPAKUT dhe Policisë së Shtetit është shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar me të gjithë forcën e ligjit! Respekt për këtë shembull kaq domethënës. Mbështetje deri në fund!" - shkruan Rama.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Rama dhe një pjesë e ministrave dhe deputetëve të mazhorancës kritkuan SPAK-un se pse nuk heton ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.