Xhuljana Dumani, motra e vrasësit me pagesë dhe të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Dorëheqja e saj vjen dy ditë pas publikimit të lajmit mbi punësimin e saj në MEPJ.
Në letrën e dorëheqjes, motra e Nuredin Dumanit i quan dizinformim lajmet e publikuara për të dhe shprehet se prej tyre dhe prej eskpozimit në publik, tashmë ndihet e rrezikuar për jetën.
“E vërteta ime e vetme është përpjekja për të ndërtuar një jetë normale, larg profilit të vëllait tim, me dëshirën e një vajze 24-vjeçare, arsimuar me rezultate shumë të mira.
Për shkakun tim prej 48 orësh po akuzohet padrejtësisht edhe institucioni ku unë prej pak kohësh kam dhënë kontributin tim, në një detyrë tërësisht teknike , pa asnjë lidhje për sa pretendohet për mediat, për akses në dokumentacion të klasifikuar.
Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohem çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës, etj duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, “faji i vetëm” i të cilëve është ndarja e orëve të punës me mua” shkruan në letrën e dorëheqjes Xhuljana Dumani.
Ditën e djeshme reagoi dhe ministrja Olta Xhaçka ku bëri me dije se me Xhuljana Dumani, MEPJ kishte lidhur kontrata e punës me afat të paracaktuar 1 vjeçar deri ne 31.12.2022, si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve.
Ajo sqaronte se Xhuljana Dumani nuk ka qenë për asnjë moment e punësuar në Kabinetin e MEPJ dhe se për punësimin i është kërkuar sipas ligjit, dëshmia e penalitetit nga autoritetet përkatëse e cila ka rezultuar e pastër. Sipas Xhaçkës, në asnjë moment Xhuljana Dumani nuk ka pasur akses në informacion të klasifikuar e aq më pak në informacion të klasifikuar të NATO.
