Sylvinho: Na mungoi pothuajse gjithçka! Manaj-Broja? Në Kombëtare koha është e artë

22 Mars 2024, 23:50Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sylvinho

Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho analizoi humbjen 0-3 në miqësoren përballë Kilit në intervistën e dhënë në emisionin “KUQ E ZI” në SuperSport.

“Sot mungoi pothuajse gjithçka. 25 minutat e para nuk bëmë mirë, na mungoi intensiteti. Ne jemi një skuadër që duhet të luftojmë për 90 minuta. Nisëm të luanim pasi pësuam golin, u futëm në lojë.

Më erdhi keq për golat e dytë dhe të tretë, duhet të mbeteshim në lojë, si në Varshavë apo Pragë. Duhet të rritemi në aspektin e përqendrimit, duhet të mbetemi në lojë.

Eufori nga lojtarët? Jo, sepse ne nuk kemi titullarë fiks. Ne jemi një skuadër që luajmë me shpirt dhe zemër. Ashtu duhet të vazhdojmë përpara.

Manaj-Broja? Në Kombëtare koha është e artë. Nuk është e lehtë të gjykosh një futbollist për 25 minuta, madje as për 90 minuta. Por nuk ka rrugë tjetër. Kemi edhe Suedinë, por koha është e pakët në dispozicion.

Presingu dhe agresivitet i Kilit? Ata janë një skuadër e nivelit të lartë. Kanë histori, kanë lojtarë me teknikë dhe agresivitet. Kili ka lojtarë që janë mësuar duke luajtur në Kupa Bote. Shumë prej tyre kanë fituar Kupën e Amerikës. Ne duhet të mësohemi në nivele të larta.

A ishte test negativ në total? Jo, absolutisht jo! Duhet ta shoh edhe njëherë ndeshjen. E përsëris: nuk është e lehtë të gjykosh një futbollist në një kohë të shkurtër. Kemi një ndeshje të vështirë me Suedinë. Për përgatitjet e Europianit do të nisim të mendojmë pas rikthimit në Tiranë”, u shpreh trajneri brazilian.

Video