Neymar braktis mikun Dani Alves

22 Mars 2024, 18:03Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dani Alves

Dani Alves nuk arrin të dalë nga tuneli ku është futur prej më shumë se një viti e gjysmë.

Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Brazilit, i dënuar me 4 vite e gjysmë pasi rezultoi fajtor për përdhunimin e një 23-vjeçareje, siguroi lirinë e përkohshme në pritje të vendimit të apelit, por familja Neymar që premtoi se do të paguante garancinë 1 milonë euro, nuk po bëhet e gjallë dhe Alves vazhdon të mbetet në burg.

Babai i Neymar kërkon të sqarojë opinionin duke deklaruar se në hapat e parë e ka ndihmuar lojtarin, por tashmë që gjykata ka folur dhe ai rezulton fajtor, Dani Alves duhet të gjejë një zgjidhje vetë pasi për familjen Neymar nuk ekziston më mundësia që t’i dalë në krah.

Por ndërkohë që familja e mikut të tij të ngushtë e ka braktisur, Dani Alves po përballet edhe me furinë e ministres Braziliane të Grave, Cida Gonçalves, e cila sulmon gjyqësorin spanjoll, duke deklaruar se nuk ekziston garanci që mund të mbulojë brutalitetin e përdhunimit të një femre.

Vendimi për lirinë me kusht të Dani Alves u mor pak ditë më parë dhe përfshin edhe sekuestrimin e pasaportës së ish-mbrojtësit, por edhe një urdhër që ai të qëndrojë minimalisht 1 km larg viktimës.

Video