Kupa e Botës 2030 që Spanja do të presë bashkë me Marokun dhe Portugalinë është në rrezik pas kontrolleve në selinë e Federatës Spanjolle të Futbollit dhe 7 arrestimeve, mes të cilëve drejtues të institucionit. Mediat iberike raportojnë se kandidatura mesdhetare për organizimin e kampionatit botëror do të duhet që të ratifikohet në dhjetor të këtij viti. Dhe institucioni i futbollit spanjoll do të duhet që të japë shpjegime për të siguruar integritet dhe unitet me organet e tjera organizative.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës të ish-presidentit Luis Rubiales, i cili ndodhet në Republikën Domenikane siguruan se klienti i tyre do të kthehet në Spanjë më 6 prill, për t’u vënë plotësisht në dispozicion të autoritetit gjyqësor. Agjentët kryen kontrolle edhe në shtëpinë e ish numrit 1 të institucionit të futbollit në Granada.
Rubiales po hetohet pasi akuzohet për korrupsion, administrim të padrejtë dhe pastrim parash në kontratat e nënshkruara në 5 vitet e fundit në krye të Federatës së Futbollit, duke nisur nga transferimi i Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite të nënshkruar me ish-mbrojtësin e Barcelonës. Gerard Pique.
Policia kreu kontrolle të mërkurën edhe në selinë e Federatës Spanjolle të Futbollit në Madrid. Operacioni është pjesë e një investigimi të gjerë të lidhur me korrupsionin e dyshuar në biznes, administrimin e padrejtë dhe pastrimin e parave, njoftoi prokuroria vendase. Policia ka kryer gjithsej 11 kontrolle në të gjithë vendin ndërsa janë lëshuar shtatë mandate arresti.