Shqipëria shkatërrohet nga Kili, mundet në miqësoren e parë të 2024-ës

22 Mars 2024, 22:54Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kuqezinjtë kapitullojnë në Itali

Kombëtarja Shqiptare e ka nisur vitin me një humbje 0-3 përballë Kilit në Parma të Italisë. Kuqezinjtë pësojnë humbje pas thuajse një viti, duke qenë se disfata e parë dhe e vetme nën drejtimin e Sylvinhos, datonte më 27 mars të 2023-shit ndaj Polonisë në Varshavë.

Amerikano-latinët në pjesën e parë u ndihmuan edhe nga arbitri, pasi shënuan pas një topi të ulur me dorë dhe në të dytën dyfishuan shifrat me një aksion në një moment përgjumjeje të mbrojtjes kuqezi, rreth 10 minuta nga fundi, ndërsa në shtesë vulosën gjithçka për rezultatin final 0-3.

Nga ana tjetër kuqezinjtë e Sylvinhos u shfaqën larg formës së tyre më të mirë, duke bërë shumë gabime, teksa edhe dy sulmuesit e kthyer në Kombëtare, Rey Manaj që e nisi nga fillimi dhe Broja i aktivizuar në vend të tij në pjesën e dytë, nuk arritën të finalizojnë mundësitë e krijuara.

Peshojnë disa muaj pa ndeshje zyrtare për Jasir Asanin, që provon, por e majta nuk i bindet, ndërsa edhe debutuesi Arbër Hoxha nuk arriti të lërë gjurmë në këtë takim, ndonëse luajti pak më shumë se 20 minuta.

Padyshim kjo ishte ndeshja më e dobët e Shqipërisë së Sylvinhos.

Sfida tjetër e radhës do të jetë ajo pas tri ditëve në Stokholm përballë Suedisë, aty ku kuqezinjtë do të duhet të tregojnë një anë krejt tjetër të tyre, atë që na kualifikoi në Europianin e Gjermanisë.

Video