Nga Roma te fanella kuqezi, historia e Riccardo Renghit dhe ëndrra e Marin Harxhit që i solli Shqipërisë një trofe historik në golf

5 Gusht 2026, 18:55Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Riccardo Renghi dhe Marin Harxhi (djathtas lart, duke festuar titullin kampion)

Kur flitet për sportin në Shqipëri, vëmendja shkon pothuajse gjithmonë te futbolli. Por këtë herë, një sukses historik vjen nga një disiplinë pak e njohur për publikun shqiptar. Kombëtarja e Golfit ka fituar Divizionin B të "European Men's Team Shield" Championship 2026, duke ngritur për herë të parë një trofe europian për Shqipërinë në këtë sport.

Pas këtij suksesi fshihen dy histori frymëzuese. Njëra është ajo e Marin Harxhit, njeriut që prej 15 vitesh lufton për të ndërtuar golfin shqiptar, ndërsa tjetra është historia e Riccardo Renghit, 20-vjeçarit të lindur dhe rritur në Itali, i cili zgjodhi të veshë fanellën kuqezi për shkak të origjinës shqiptare të nënës së tij.

Në kampionatin e zhvilluar në Maltë, Shqipëria, e përfaqësuar nga Rigers Dalipi, Edmond Mebelli, Eytan Memeti dhe Riccardo Renghi, eliminoi Lihtenshtejnin me rezultatin 2-1 në gjysmëfinale dhe më pas mposhti edhe Kosovën me të njëjtin rezultat në finale, duke u shpallur fituese e Divizionit B.

Për Riccardo Renghin, përfaqësimi i Shqipërisë ishte shumë më tepër sesa një zgjedhje sportive. Në një intervistë të dhënë në "Ftesë në 5" në Top Channel, Riccardo u shpreh u nderuar që po luan për Shqipërinë.

"Ishte një nder për mua të luaja për Shqipërinë. Kam lindur dhe jam rritur në Itali, por origjina shqiptare e nënës sime e bëri këtë zgjedhje krejtësisht natyrale," shprehet ai.

Golfi është pjesë e jetës së tij që prej moshës 10-vjeçare. I nxitur nga gjyshi dhe babai, ai provoi disa sporte, por u dashurua me golfin për qetësinë, disiplinën dhe kontaktin e vazhdueshëm me natyrën. Në moshën 14-vjeçare nisi të luante për një skuadër në Romë, ndërsa dy vite më vonë u transferua te një prej ekipeve më të forta në Itali. Pikërisht në atë periudhë erdhi edhe ftesa për t'iu bashkuar Kombëtares shqiptare.

"Golfi të jep mundësinë të udhëtosh në të gjithë Europën dhe të sfidosh vazhdimisht veten. Është një sport unik dhe çdo garë të mëson diçka të re," thotë ai.

Në anën tjetër është Marin Harxhi, njeriu që prej më shumë se një dekade e gjysmë po përpiqet ta bëjë golfin një realitet në Shqipëri.

"Kemi 15 vjet që kemi themeluar Federatën Shqiptare të Golfit. Ka qenë një punë kolosale, por ëndrra jonë nuk është realizuar ende plotësisht, sepse Shqipëria vazhdon të mos ketë një fushë golfi," tregon Harxhi.

Pasioni i tij për këtë sport lindi rastësisht, falë një turisti skocez që i mësoi hapat e parë të golfit. Më pas, përvoja në Skoci dhe në Antalia të Turqisë e bindi se edhe Shqipëria kishte potencial për ta zhvilluar këtë disiplinë.

"Kur pashë kulturën e golfit jashtë vendit, mendova se edhe Shqipëria e meritonte një sport të tillë. Që atëherë punova vetëm për këtë ëndërr."

Sot, Federata Shqiptare e Golfit numëron rreth 50 anëtarë dhe vazhdon të rritet çdo vit, edhe pse mungesa e një fushe zyrtare mbetet pengesa më e madhe.

Për Harxhin, golfi nuk është vetëm një sport.

"Golfi krijon një lidhje shpirtërore me njeriun. Kush e njeh këtë sport, e ka të vështirë të largohet prej tij."

Triumfi në Maltë është dëshmia më e qartë se golfi shqiptar ka nisur të japë rezultate edhe në arenën ndërkombëtare. Tani, pas medaljeve dhe trofeut, sfida më e madhe mbetet ndërtimi i fushës së parë të golfit në Shqipëri, një ëndërr që Marin Harxhi e ndjek prej dekadash dhe që brezi i ri, me Riccardo Renghin në krye, shpreson ta shohë të realizuar.

 


Video