
Në manualet e vjetra të menaxhimit të krizave, kur një skandal bëhet i pamundur për t’u fshehur, institucioni gjen menjëherë një “dele të zezë” për të shpëtuar koken e piramidës. Këtë pamë edhe në deklaratën e fundit të Policisë së Shtetit pas goditjes me plumb gome të një deputeti në mes të bulevardit: një përpjekje klasike për t’i larë duart institucionalisht, duke ia faturuar të gjithë ngjarjen tekës së një efektivi të vetëm, në mënyrë që zinxhiri komandues të dalë i pastër si loti.
Por në nxitimin për të shpëtuar shefat, policia ka pranuar pa dashje një skandal akoma më të rëndë: sipas versionit zyrtar, një punonjës policie në terren ka nxjerrë armën speciale dhe ka qëlluar me municion kinetik pa urdhër.
Nëse e marrim të mirëqenë këtë alibi, atëherë kemi të bëjmë me një kolaps të sigurisë dhe komandës. Armët e kalibrit 37/40 mm dhe projektilet e gomës nuk janë stilolapsa që mbahen në xhep për shënime personale; ato shpërndahen me regjistër të rreptë dhe përdoren ekskluzivisht me urdhër të drejtuesit të operacionit policor. Nëse një efektiv mund të shkrepi plumba gome sipas humorit në mes të kryeqytetit, pyetja që lind natyrshëm është: kush e kontrollon armatimin e shtetit në këtë vend?
Edhe më problematik është aspekti teknik i asaj qitjeje "pa urdhër". Si standardet ndërkombëtare të OKB-së dhe jurisprudenca e prerë e Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, ashtu edhe vetë Ligji nr. 82/2024 "Për Policinë e Shtetit", vendosin rregulla të hekurta: plumbi i gomës nuk përdoret kurrë pa dhunë aktive që rrezikon jetën dhe ndalohet rreptësisht shënjestrimi mbi bel. Goditja midis shpatullave — në nivelin e shtyllës kurrizore dhe kafazit të kraharorit — nuk është një "shkarje" e pafajshme, por shënjestrim në zonë vitale, aty ku predha e gomës shndërrohet në mjet potencialisht vdekjeprurës. Kur kjo ndodh pas shpine, pa paralajmërim dhe në një rrugë ku nuk kishte asnjë sulm ndaj policisë, alibia e "vetëmbrojtjes" bie ende pa u shkruar.
Megjithatë, kulmi i kësaj tragjikomedie juridike nuk është as te deklarata e policisë, as te gishti që tërhoqi këmbëzën. Është te standardi i dyfishtë i drejtësisë.
Në këtë vend, kur një qytetar apo protestues shtyn një gardh ose hedh një send në rrugë, makina e shtetit ndizet me shpejtësi drite: pranga në flagrancë brenda minutash dhe kërkesë për "arrest me burg" për kundërshtim të rendit publik. Ndërkohë, kur një efektiv qëllon pas shpine me armë shërbimi një përfaqësues të zgjedhur të Kuvendit, duke konsumuar në mes të ditës dhe para kamerave vepra të rënda penale si shpërdorimi i detyrës, veprimet arbitrare dhe plagosja, Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) zbulojnë papritur virtytet e durimit dhe butësisë procedurale. Nuk ka arrestim në flagrancë, nuk ka pranga; mjafton një pezullim administrativ nga puna dhe një "nisje hetimesh në gjendje të lirë".
Me sa duket, në Kodin Penal shqiptar ekziston një nen i pashkruar: rrezikshmëria shoqërore matet me drejtimin e tytës. Nëse je qytetar i thjeshtë, je rrezik për shtetin dhe duhesh mbyllur në qeli pa humbur kohë; nëse mban uniformë dhe qëllon pa urdhër në bulevard, je thjesht një "rast administrativ" që meriton ta presësh hetimin në shtëpi.
Nëse Prokuroria dhe AMP nuk i shkojnë kësaj çështjeje deri në fund — duke sekuestruar regjistrat e municionit, kamerat e sigurisë dhe komunikimet radio të sallës operative për të gjetur kush dha vërtet urdhrin — ky nuk do të mbetet thjesht një episod turpi i brendshëm. Do të kthehet në dosjen e radhës ku Strasburgu do t'i kujtojë Shqipërisë një të vërtetë të thjeshtë: kur shteti mbron ata që qëllojnë pas shpine dhe burgos ata që protestojnë, nuk kemi më rend publik, por thjesht pandëshkueshmëri të uniformuar.