Fatime Paja, një prej artisteve që kontribuuan në krijimin e simboleve të lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, është arrestuar këtë të diel në Tiranë, në kuadër të operacionit policor “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Ajo dyshohet se, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, siguronte dhe shpërndante sende të kundërligjshme për pjesëmarrësit në protestën e 28 Nëntorit, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Arrestimi i Pajës ka rikthyer vëmendjen te angazhimi i saj në lëvizjen qytetare kundër projektit turistik në zonën e Nartës, ku ajo ishte pjesë e grupit të artistëve që krijuan figurat e flamingove, të cilat u kthyen në simbol të protestave.
Flamingoja u përzgjodh për të përfaqësuar Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur natyrore dhe habitat i këtyre shpendëve, ku parashikohej të zhvillohej një projekt turistik i kundërshtuar nga protestuesit. Përdorimi i vazhdueshëm i figurave të flamingove gjatë marshimeve në Tiranë bëri që kjo lëvizje të merrte emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press, Paja kishte treguar se grupi i artistëve zgjodhi flamingon si simbol të kundërshtimit ndaj projektit turistik në Nartë.

Ajo ishte ndër personat që udhëhiqnin marshimet, duke bërë thirrje përmes megafonit me sloganet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Krahas protestave, së bashku me artistët e tjerë, organizonte edhe aktivitete vizatimi dhe ngjyrosjeje për fëmijët.
“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, ishte shprehur Paja për Associated Press në një intervistë të dhënë më 20 qershor.
Kush është Fatime Paja?
Fatime Paja, e njohur në veprimtarinë e saj artistike si Fatma Paja, është artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike.
Ajo ka lindur në Belsh dhe është angazhuar në një sërë projektesh që lidhen me artin pamor, ilustrimin, dizajnin grafik dhe trashëgiminë kulturore.
Së bashku me motrat e saj, Elsa Paja dhe Natasha Paja, ka themeluar studion kreative TRIVET, përmes së cilës realizon projekte të ndryshme artistike, përfshirë ilustrime, botime dhe ekspozita.
Në disa botime institucionale ajo figuron me emrin “Fatime Paja (Trivet)”, ndërsa në aktivitetet artistike dhe në media prezantohet kryesisht si “Fatma Paja”.
Një prej bashkëpunimeve të saj në fushën e trashëgimisë kulturore daton në vitin 2023, kur Paja bashkëpunoi me organizatën Cultural Heritage Without Borders Albania (CHwB Albania) për një botim kushtuar Muzeut Etnografik të Krujës. Në këtë projekt ajo figuron si bashkëautore e konceptit, ndërsa ishte përgjegjëse për ilustrimet, përpunimin grafik dhe faqosjen e botimit.
Gjatë viteve 2023–2024, studioja TRIVET bashkëpunoi me organizatat Art Kontakt dhe EcoKult në kuadër të projektit CulTour Mirdita. Kontributi i studios përfshiu realizimin e dizajnit dhe ilustrimeve të guidës turistike të Mirditës, si dhe përgatitjen e materialeve për ekspozitën “Mirdita në Fotografi”.
Paja ka qenë gjithashtu pjesë e një studimi të iniciativës ArtNexus, ku ka plotësuar një pyetësor për një kërkim mbi mbështetjen financiare të artistëve dhe të arteve pamore. Në këtë nismë u përfshinë Shoqata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNAA), Komiteti Suedez i Granteve për Artet (SAGC) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (Sida).
Në vitin 2023, Fatma, Elsa dhe Natasha Paja realizuan gjithashtu kopertinën e raportit vjetor të organizatës Trees for Albania.
Ndërsa në vitin 2024, tri motrat prezantuan në Kosovë dhe Shqipëri ekspozitën “Që prej motmoti”, një projekt artistik i kushtuar traditave, miteve dhe riteve shqiptare.
Po në vitin 2024, Fatma Paja ishte anëtare e jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar në Kosovë. Ajo ka marrë pjesë si folëse edhe në aktivitete të komunitetit Albanians Who Design, ku është prezantuar përmes përvojës së saj në art dhe dizajn grafik.
Ndërkohë, pas arrestimit të saj në kuadër të operacionit të fundit, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.