U arrestua për furnizimin e protestuesve me molotovë e kapsolla, avokati i vajzës që ideoi simbolin e flamingos mohon akuzat

29 Nëntor 2026, 18:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

U arrestua  për furnizimin e protestuesve me molotovë e kapsolla,

Policia e Tiranës njoftoi të dielën se kishte ndaluar në kushtet e flagrancës aktivisten 29-vjeçare, Fatma Paja dhe e akuzon atë për furnizimin e protestuesve me molotovë, fishekzjarrë, kapsolla dhe sende të tjera të kundraligjshme, të cilat përdoren në përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Sipas njoftimit për shtyp, Paja u arrestua të shtunën ndërsa ndodhej në një automjet “Fiat” në rrugën “Qemal Stafa” pranë Pazarit të Ri në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinë, policia gjeti dhe sekuestroi 91 koktejle molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz si dhe doreza, maska e kapele.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore,” deklaroi Policia e Tiranës.

Fatma Paja është artiste vizuale dhe aktiviste qytetare me një angazhim të rëndësishëm në protestat paqësore të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Së bashku me dy motrat e saj dhe studion e themeluar prej tyre, TRIVET, Paja është autore e identitetit vizual të protestave, përfshirë edhe simbolin e flamingos.

Avokati i Pajës, Gentian Serjani pretendoi se klientja e tij nuk kishte asnjë lidhje me makinën dhe sendet e sekuestruara nga policia, duke i mohuar akuzat e ngritura.  Sipas Serjanit, aktivistja Fatma Paja ndodhej rastësisht pranë makinës së sekuestruar.

“E ndaluara ka probleme shëndetësore që kanë të bëjnë me mostolerancën ndaj glutenit dhe teksa ka qenë duke protestuar pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, është shprehur se kishte nevojë për ushqim, por që nuk mund të përdorte ushqim të zakonshëm,” tha Serjani për BIRN.

Sipas avokatit, një protestues i maskuar me të njëjtin problem shëndetësor i ka thënë se dhe ai ka të njëjtën situatë dhe se në automjetin e tij kishte ushqime të posaçme që konsumohen nga personat që nuk tolerojnë glutenin. Sipas deklarimeve të 29-vjeçares, personi në fjalë i ka dhënë çelësat e automjetit dhe i ka treguar se ku e kishte parkuar.

Serjani shpjegoi se Paja është arrestuar nga punonjës policie me veshje civile sapo ka shkuar te automjeti. Sipas tij, në makinë janë gjetur tre çokollata që përdoren për konsumim nga personat që nuk tolerojnë dot glutenin, ashtu si edhe ka pohuar e mbrojtura prej tij.

Të martën, pritet që gjykata të vlerësojë ndalimin e aktivistes Fatma Paja.


Vox Pop

Video