Kur uniforma bëhet armë: Plumbi në shpatullën e deputetit dhe kufiri i shkelur i pushtetit

29 Nëntor 2026, 19:32Pikëpamje SHKRUAR NGA RAJMONDA BASHA

Kur uniforma bëhet armë: Plumbi në shpatullën e deputetit

Një plumb gome nuk është i baraspeshuëshëm me zjarrin e gjallë. Një deputet, është po aq i barabartë para ligjit sa një qytetar i thjeshtë.

Dhe një plumb gome ndaj një deputeti nuk është më shumë shqetësues se sa dhjetëra plumba gome shtënë ndaj qytetarëve. Por është kambana e fundit për të ngritur alarmin mbi raportin mes uniformës, pushtetit dhe ligjit.

Një efektiv, i veshur me uniformën e shtetit dhe i pajisur me autoritetin që i jep ligji, shihet duke qëlluar me armën që mban në dorë. Në rrethanat e incidentit ku deputeti Kliti Hoti u plagos në shpatull, kjo pamje ngre një pikëpyetje shumë më të madhe se vetë goditja: çfarë e justifikonte atë veprim në atë moment?

Pas incidentit, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e menjëhershëm të efektivit me inicialet E.A. dhe hapjen e një hetimi disiplinor për veprimet e tij. Në njoftimin zyrtar, Policia bëri gjithashtu të ditur se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, duke theksuar se përgjegjësia për veprimet individuale do të hetohet. Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Por pezullimi i një efektivi dhe nisja e një hetimi nuk e mbyllin çështjen. Përkundrazi, e bëjnë edhe më të domosdoshme përgjigjen ndaj pyetjes se si dhe përse u përdor forca në atë moment.

Sepse polici nuk është një protestues më shumë në shesh. Nuk është një qytetar që reagon nga zemërimi, as një palë në konflikt që mund të marrë hak për atë që po ndodh përballë tij. Ai është përfaqësues i ligjit. Dhe pikërisht për këtë arsye, prej tij kërkohet më shumë vetëpërmbajtje, më shumë kontroll dhe më shumë përgjegjësi.

Ligji nuk ia lë në dorë efektivit të vendosë sipas deshirave apo pakujdesive se kur dhe sa forcë duhet të përdorë. Neni 32 i Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” e kufizon qartë këtë kompetencë: forca përdoret vetëm kur është e domosdoshme, kur masat e tjera nuk funksionojnë ose janë të pamundura, dhe gjithmonë në mënyrë proporcionale e të përshkallëzuar.

Përpara përdorimit të saj kërkohet edhe paralajmërim, përveç rasteve kur ekziston një rrezik real dhe i çastit.

Pra, ligji nuk i jep policit një çek të bardhë për të qëlluar. I jep një kompetencë të kufizuar, të kushtëzuar dhe të kontrollueshme.

Edhe Rregullorja e Policisë së Shtetit, në nenin 25, e shkon më tej këtë përgjegjësi: mjeti i përdorur duhet të jetë në përpjesëtim me rrezikun, duke garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Dhe pika 6 është edhe më e qartë: punonjësi i policisë mban përgjegjësi individuale për forcën që ushtron dhe jep llogari para ligjit.

Kjo do të thotë se askush nuk mund të fshihet pas turmës, pas tensionit të protestës apo pas urdhrave të përgjithshëm për ruajtjen e rendit. Çdo veprim i policit duhet të ketë një arsye ligjore. Çdo përdorim force duhet të jetë i justifikueshëm. Çdo tejkalim duhet të ketë përgjegjës.

Sigurisht, edhe dhuna e protestuesve duhet dënuar. Hedhja e molotovëve dhe mjeteve piroteknike drejt policisë nuk mund të relativizohet. Por dhuna e njërës palë nuk e shuan përgjegjësinë e palës tjetër. Përkundrazi, në një moment kur situata del jashtë kontrollit, polici duhet të jetë pikërisht ai që nuk e humbet kontrollin.

Nuk është çështja nëse personi që u godit është deputet, politikan apo qytetar i zakonshëm. Nëse një efektiv mund të përdorë forcën në mënyrë të pajustifikuar ndaj një deputeti, nesër mund të jetë çdo qytetar që gjendet në shesh, në rrugë apo thjesht në vendin e gabuar, në momentin e gabuar.

Dhe ky është shqetësimi i vërtetë. Jo vetëm plumbi në shpatullën e Kliti Hotit, por ajo që një pamje e tillë mund të përfaqësojë: një autoritet që harron se fuqia që i është besuar nuk është pronë personale dhe as instrument për të ndëshkuar këdo që ka përballë.

Uniforma nuk të jep të drejtën të shfrysh. Të ngarkon me detyrimin të kontrollosh veten edhe kur të tjerët nuk e bëjnë.

Sepse Policia duhet të jetë mburoja e qytetarit, jo frika e tij.


Vox Pop

Video