Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, përballet me një ultimatum nga UEFA, e cila kërkon dorëheqjen e tij, pas polemikave të shkaktuara nga plani për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës te investitorë privatë.
Sipas The Telegraph, nëse Infantino nuk largohet vullnetarisht, UEFA është e gatshme të nisë një mocion mosbesimi ndaj tij. Burime të cituara nga media britanike thonë se të 55 federatat anëtare të UEFA-s janë të gatshme të votojnë për largimin e presidentit të FIFA-s. Për të nisur procedurën nevojitet mbështetja e të paktën 43 federatave, prag që UEFA e plotëson.
Përshkallëzimi i krizës vjen pasi FIFA u tërhoq nga plani për të shitur 30% të të drejtave tregtare të Kupës së Botës, pas kundërshtimit të gjerë nga federatat kombëtare, konfederatat kontinentale dhe aktorë të tjerë të futbollit.
Në deklaratën e saj zyrtare, UEFA bëri të ditur se ka humbur besimin te drejtimi aktual i FIFA-s, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe për përpjekje për të miratuar një projekt të rëndësishëm pa konsultimin e duhur me anëtarët.
“Drejtimi aktual i FIFA-s ka humbur jo vetëm besimin e UEFA-s, por edhe të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit”, thuhet në deklaratë.
UEFA kritikoi ashpër mënyrën se si u hartua dhe u promovua projekti, duke e cilësuar atë një marrëveshje të paqartë dhe të zhvilluar larg syrit të publikut. Organizata evropiane kërkoi që përgjegjësit për këtë proces të mbajnë përgjegjësi dhe njoftoi se do të punojë me konfederatat dhe federatat anëtare për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Edhe Federata Angleze e Futbollit (FA) mbështeti publikisht qëndrimin e UEFA-s, duke kërkuar një rishikim të plotë të drejtimit dhe qeverisjes së FIFA-s për të garantuar transparencë dhe menaxhim në interes të të gjitha 211 federatave anëtare.
Në deklaratën e saj, UEFA kujtoi edhe premtimet që Gianni Infantino kishte bërë gjatë kandidimit për president të FIFA-s në vitin 2016, kur ishte zotuar për transparencë dhe përdorimin e fondeve të organizatës vetëm për zhvillimin e futbollit. Sipas UEFA-s, këto premtime nuk janë përmbushur.
Organizata theksoi gjithashtu se FIFA disponon rezerva financiare prej më shumë se 5 miliardë dollarësh dhe se këto fonde duhet të përdoren për zhvillimin e futbollit në të gjitha vendet anëtare, pa qenë nevoja të shiten asetet më të rëndësishme të sportit.
Plani i Infantinos për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës u rrëzua pasi konfederatat e Evropës, Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Azisë dolën kundër tij, duke bërë që presidenti i FIFA-s të mos siguronte mbështetjen e shumicës së 211 federatave anëtare.
Raporti i The Telegraph thekson se presioni ndaj Infantinos është shtuar edhe pas dorëheqjes së një prej këshilltarëve të tij të lartë dhe kritikave të brendshme në FIFA, ndërsa në ditët në vijim pritet të bëhet e qartë nëse presidenti i FIFA-s do të japë dorëheqjen apo do të përballet me një votë mosbesimi.