
Xhanluka Di Marzio ka folur për ndryshimet e shumta që priten te Milani. Gazetari i njohur sportiv në Itali mendon se Igli Tare si drejtor sportiv, është i pari që do të largohet.
Tares i janë faturuar transferimet e Kristofer Nkunku dhe Ardon Jasharit, për të cilët janë shpenzuar shuma të konsiderueshme dhe konsiderohen dështime.
“Këto janë ditë vendimtare. Tani është e qartë se i pari që do të sakrifikohet është Igli Tare. Është e vërtetë që vazhdimi i ndryshimit të drejtorëve dhe trajnerëve sigurisht që nuk është një shenjë vazhdimësie, apo dhënies së kohës për të punuar profesionistëve të caktuar. Por është e qartë se pronarët kanë vendosur ta sakrifikojnë atë për disa marrëveshje që nuk kanë qenë bindëse, siç janë Nkunku ose Jashari.
Është gjithashtu e qartë se Tare ishte njeriu që bindi, për shembull, Modriçin të zgjidhte Milanin. Dhe vetë Modriç luajti një rol të rëndësishëm në sjelljen e Milanit në këtë nivel, për të qenë ende në garë për Ligën e Kampionëve deri dy ndeshje nga fundi. Sidoqoftë, Igli Tare gjithmonë ka pasur nevojë për kohë për t’u ndërtuar dhe, mbi të gjitha, autonomi”, u shpreh Di Marzio.