Juventusi po tenton një goditje të madhe në merkato dhe emri në qendër të vëmendjes është Bernardo Silva.
Mesfushori portugez i Manchester City-t, me kontratë që përfundon në qershor, pritet të largohet me parametër zero në fund të sezonit.
Interesimi i bardhezinjve duket serioz dhe nuk po e lë indiferent lojtarin.
Sipas mediave italiane, Bernardo Silva ka kontaktuar dy ish-lojtarë të mëdhenj të Juventusit: brazilianin Danilo dhe portugezin Cristiano Ronaldo, për të marrë informacion mbi futbollin italian dhe ambientin e klubit torinez.
Të dy i kanë folur pozitivisht për Serinë A dhe për Juventusin, duke e inkurajuar për një transferim të mundshëm.
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, e ka vendosur mesfushorin në krye të listës së dëshirave për të forcuar repartin e mesfushës me cilësi dhe eksperiencë.
Ndërkohë, Bernardo Silva ka marrë oferta të majme nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, por preferenca e tij është të vazhdojë karrierën në Europë.
Interes ka pasur edhe nga klube si Barcelona dhe Atlético Madrid në Spanjë, si dhe Benfica në Portugali, por rikthimi në vendlindje duket më shumë si opsion për më vonë në karrierë.
Një ofertë e rëndësishme vjen edhe nga Galatasaray, që i ofron një kontratë dyvjeçare me rreth 10 milionë euro neto në vit, plus bonus firme.
Nga ana tjetër, Juventusi raportohet se ofron rreth 6 milionë euro në sezon, plus bonuse, me kontratë deri në vitin 2028 dhe opsion deri në 2029.
Në ditët në vijim, drejtuesit e Juventusit pritet të thellojnë kontaktet me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, për të kuptuar mundësinë reale të këtij transferimi të bujshëm.