Uefa shpjegon arsyet e kartonit të kuq ndaj Lloyd Kelly. Pas një përplasjeje me kokë me Yilmaz, mbrojtësi bardhezi ra me taka mbi këmbën e kundërshtarit, në mënyrë krejtësisht të pavullnetshme. Arbitri Joao Pinheiro nxjerr menjëherë kartonin e verdhë, por më pas thirret nga VAR-i dhe vendos të nxjerrë kartonin e kuq. Një vendim që ndryshon edhe kohëzgjatjen e pezullimit të Kelly, i cili do të jetë dy ndeshje dhe jo vetëm një.
Përmes faqes së saj zyrtare, Uefa ka shpjeguar motivet që çuan në vendimin për nxjerrjen e kartonit të kuq direkt: “Lojtari i Juventusit, numri 6, duke përdorur takat e tij ka pasur një kontakt të fortë të parregullt me kyçin e majtë të kundërshtarit, duke vënë qartë në rrezik integritetin e tij fizik”, lexohet në njoftim.
Por shpjegimi i Uefa-s nuk ka bindur. Ish-arbitri italian Graziano Cesari komenton përjashtimin e Lloyd Kelly në Juventus-Galatasaray: “I kuqi direkt është një çmenduri e pastër. Ajo e VAR-it Kwiatkowski ndaj arbitrit Pinheiro është një ndërhyrje kundër rregullores së futbollit dhe arsyes së shëndoshë. Mbrojtësi bardhezi kërcen dhe luan topin me kokë, pastaj duhet të rikthehet në tokë. Ku do të ishte qëllimi për të vënë në rrezik integritetin e kundërshtarit?”.