
Kadastra e Fierit është bërë gangrenë dhe punonjësit e saj duhen zhdukur dhe duhen ndëshkuar. Kështu ka deklaruar deputeti i PS-së Petro Koçi nga foltorja e Kuvendit.
Sipas deputetit socialist, të punësuarit në këtë kadastër sillen si bejlerë dhe nuk duan t’ia dinë për hallet e qytetarëve. Koçi shpreson se gjërat do të ndryshojnë me vendosjen e drejtorit të ri.
“Në Fier është ndryshuar drejtori i Kadastrës dhe uroj të ndryshojë menaxhimi i kësaj kadastre që është bërë gangrenë në Fier. Ata që janë bërë bejlerë në ato zyra duhen zhdukur dhe duhen ndëshkuar. Mjafton të ndjekësh hallin e vetëm një qytetari për të kuptuar se ku qëndron e keqja. Disa zyrtarucë nuk duan t’ia dinë por sillen si bejlerë. E ka fajin administrata që janë njerëz që mendojnë se ku bëhen pjesë e administratës mendojnë se është biznes personal dhe jo detyrim nga ligji. Uroj të kemi një situatë të re me kadastrën në Fier”, deklaroi ai.
Më tej, Petro Koçi denoncoi dhe mos bërjen e punës siç duhet nga një nëpunës i Drejtorisë së Bujqësisë, si dhe një problem pronësie.
“Megjithëse qeveria ushtron një politikë subvencionesh për bujqësinë ndodh që për arsye teknike nëpunës të caktuar nuk e bëjnë detyrën si duhet dhe persona të caktuar nuk përfitojnë ndihmën e domosdoshme financiare. Një nëpunës te Drejtoria e Bujqësisë nuk bën detyrën si duhet. Kjo është e pafalshme. Ai nëpunës duhet të gjente zgjidhje patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë me administratën. Ka edhe një problem për ndarjen e tokave në njësinë administrative Topojë. Një pjesë e posedon tokën fizikisht por nuk e posedon juridikisht.
Ndërsa pala tjetër e posedon me letra dhe jo fizikisht. Ka 30 vite që kanë mbetur pa zgjidhje. I kam kërkuar prefektit të Fierit që të gjendet zgjidhja për ato familje që nuk posedojnë tokë fizikisht. Çështja tjetër lidhet sërish me bujqësinë. Dua të theksoj një proces të veçantë. Drejtori i shkollës ka arritur me një program t’u ofrojë ndihmë 20 nxënësve të shkollës. Isha vetë te një nxënës i cili me anë të kësaj ndihme kishte marrë një frezë të re. Mendoj që duhet gjithçka është e mundur që këto projekte t’i nxisim më tej”, tha Koçi.