Mijëra tifozë italianë tani nuk duhet të përballen vetëm me peripecitë për blerjen e një bilete për finalen e Conference League mes Romës dhe Feyenoord.
Për pjesën më të madhe të tyre, organizimi i udhëtimit drejt Shqipërisë po kthehet në një odise shqetësimesh, praktikash të padrejta dhe ngjarjesh të paparashikuara.
Mediat italiane kanë shkruar për çmimet e biletave të hoteleve në Tiranë, duke bërë një krahasim me dhjetë ditë më parë.
“Në orët e fundit ka dhjetëra persona që u janë anuluar rezervimet në hotel pa ndonjë arsye të vlefshme dhe kur vjen puna për të zënë sërish një dhomë, ofrohet e njëjta me çmim 1000 euro më të lartë. E njëjta gjë vlen edhe për disa fluturime të anuluara nga linjat ajrore me një email të thjeshtë, drejtuar udhëtarëve dhe të rikthyera në shitje me një kod tjetër dhe çmime më të larta.
Kjo nuk është mirë për tifozët që kishin menduar të akomodoheshin në një nga hotelet apo apartamentet që “mikpritësit” e Tiranës duhet të vinin në dispozicion të turistëve. Po, duhet! Sepse mjafton të përpiqesh të rezervosh akomodimin online për të kuptuar disa çudira. Menjëherë pas kryerjes së pagesës, në fakt, papritur kontaktohet nga menaxheri, i cili për arsye nga më të ndryshmet (nga Covid, rinovimet deri tek ndryshimet drastike të jetës), ju fton të anuloni rezervimin duke mohuar disponueshmërinë e akomodimit.
Ndërkohë, sot pritet publikimi i kuponëve të pashitur që UEFA do të vendosë të nxjerrë në treg: shitjet online do të fillojnë nesër dhe kushdo në botë do të mund t'i blejë (çmimet nga 80 euro e lart). Do të jetë shansi i fundit për të provuar dhe për të rrëmbyer një biletë”, shkruhet në mediat italiane.