
Ndonëse duhej të ishte një ditë e bukur dhe normale për çiftin e të rinjve Vilma dhe Arjan Konomi, duke shijuar diellin e të dielës bashkë me foshnjën e tyre tre muajshe, shpejtësia tej normave dhe ”errja e syve” të një 39-vjeçari para dritës së kuqe të semafori, ndryshoi gjithçka për ta sot.
Ajas Sulejmani, nën efektin e lëndëve narkotike, drejtonte mjetin e tij luksoz “Benz G Class”, por mungesa e kthjelltësisë bëri që të mos ndalej para semaforit të kuq, duke aksidentuar çiftin dhe fëmijën e tyre që po kalonin në vizat e bardha.
Menjëherë pas aksidentit, ndërsa qytetarë të shumtë që ndodheshin në zonën e rrugës së Kavajës në Tiranë, vrapuan t’u vinin në ndihmë të aksidentuarve, 39-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Dy orë më pas forcat e policisë kanë bërë të mundur arrestimin e tij në një spital privat, ndërsa pas kryerjes së testin të drogës, ai ka rezultuar se ka qenë nën efektin e narkotikëve.
Para efektivëve të policisë ai ka deklaruar se arsyeja pse u largua nga vendi i ngjarjes ishte për shkak se në makinë kishte një fëmijë të vogël, i cili është lënduar po ashtu. Por nga dëshmitë e qytetarëve që u ndodhën në vendngjarje është pohuar se ai është larguar i vetëm në këmbë.