
Përveç Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, policia po patrullon zonën dhe me helikopter për kapjen e grabitësve të filialit të BKT-së në Koplik të Malësisë së Madhe.
Burime bëjnë me dije se tre autorët janë larguar drejt fshatrave kufitarë në Malin e Zi. Policia ka ngritur disa pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Filiali i "BKT-së" në Koplik të Malësisë së Madhe u grabit mesditën e sotme nga tre persona të maskuar dhe të armatosur.
Pas marrjes së parave, ata janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre tip “Golf” të cilin e kanë djegur në dalje të Koplikut. Pasi dogjën makinën e tyre, ata i kanë grabitur një qytetari të rastit një mjet tip “Mercedez Benz” dhe më pas janë larguar me të.
I çuditshëm është fakti se grabitësit nuk kanë përzgjedhur një zonë të pabanuar për djegien e makinës, por rrethrrotullimin që të lidh me aksin nacional Shkodër-Hani i Hotit, ku ka lëvizje të shumta nga shqiptarë dhe të huaj.
Ende nuk dihet shuma e parave që është grabitur. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.