Rama hakmerret ndaj Limos Dizdarit, asnjë ndihmë siç bëri me Mark Markun

9 May 2022, 17:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama hakmerret ndaj Limos Dizdarit, asnjë ndihmë siç bëri

Artisti i Merituar, Limos Dizdari është shtruar në gjendje të rëndë në spital ku ndodhet i intubuar në reanimacion me insufiçencë pulmonare.

Qeveria ende nuk ka dhënë asnjë ndihmë për të, ndryshe nga ajo çfarë bëri me pedagogun Mark Marku, ku i dhuroi 10 milionë lekë të vjetra për kurim. Ndoshta kjo mund të jetë dhe një lloj hakmarrje e Ramës ndaj Dizdarit, pas protestave të këtij të fundit para Kryeministrisë, ku qëndroi i vetëm për ditë të tëra me shpresën se do arrinte që të shpëtonte Shtëpinë e Kulturës “Dea” në Ksamil. Sipas kompozitorit, qeveria ia ka dhënë Qendrën Kulturore disa njerëzve rrugaçë që nuk kanë lidhje me artin.

Një apel ndaj shtetit për të ofruar ndihmë ndaj Limos Dizdarit ka bërë dhe ish-deputeti i LSI-së Luan Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se shteti ka detyrimin të dëshmojë përkujdesjen maksimale e t’i bëhet krah Limos Dizdarit dhe familjes së tij në këtë betejë të jetës me vdekjen, sepse vepra e tij është pasuri e vyer e artit dhe kulturës së kombit.

Apeli i Luan Ramës:

Limos Dizdari në gjendje të rëndë shëndetësore:

ARTISTI I MADH NË LUFTË ME VDEKJEN, SHTETI ASNJË PËRPJEKJE PËR TA SHPËTUAR!

Kompozitori i shquar i muzikës shqiptare, artisti i madh i këngës dhe i shumë veprave muzikore të gjinive të ndryshme Limos Dizdari, prej ditësh po lufton me vdekjen i shtruar në një nga pavionët e spitalit të Durrësit!

Përkushtimi profesional i mjekëve të spitalit të Durrësit po e mban në jetë në luftë me vdekjen.

Por vetëm përpjekjet e tyre nuk mjaftojnë që kompozitori që na dhuroi këngët “Këputa një gjethe dafine”, “Udhët e atdheut më thërrasim”, “Gonxhe në pemën e lirisë” e qindra këngë të tjera apo muzikën e mrekullueshme të filmave “Rrugë të bardha”, “Mësonjëtorja”, “Beni ecën vetë”, “Koncert në vitin ‘36”, “Malet me blerim mbuluar”, “Përrallë nga e kaluara” etj, ta fitojë betejën me vdekjen!

Edhe pse Limos Dizdari nuk është “Nderi i Kombit”, ndërkohë që këtë nderim të lartë shtetëror e kanë marrë edhe “artistë” tallavaje e mejhanesh pa asnjë kontribut, e madje edhe organizata kriminale, shteti ka detyrimin të dëshmojë përkujdesjen maksimale e t’i bëhet krah Limos Dizdarit dhe familjes së tij në këtë betejë të jetës me vdekjen, sepse vepra e tij është pasuri e vyer e artit dhe kulturës së kombit.

Limos Dizdari ka nevojë për ndihmë, ke nevojë për mbështetje, ka nevojë për solidaritet njerëzor dhe shtetëror!

Bëjeni sot zotërinj të pushtetit! Nesër do të jetë vonë!


Video