Zgjedhjet e parakohshme, Berisha: Në 6 bashkitë do kemi kandidatë të pavarur

4 October 2025, 16:12Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zgjedhjet e parakohshme, Berisha: Në 6 bashkitë do kemi kandidatë
Sali Berisha

Kreu i opozitës, Sali Berisha, pas mbledhjes së Kryesisë së PD, gjatë një deklaratë për mediat tha se për Bashkinë e Tiranës dhe në pesë bashkitë e tjera që do të ketë zgjedhje të parakohshme, do të ketë kandidatë të pavarur.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se PD është e gatshme të mirëpresë çdo intelektual, ekspert dhe qytetar që është i gatshëm që të përballet me kandidatët e PS.

Sali Berisha tha para gazetarëve se gjatë mesit të javës, do të kenë gati emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës dhe pesë bashkitë e tjera.

“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera.

Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur. Unë mendoj se kandidati i pavarur, është i pavarur kur deklaron veten, apo nuk është kështu. Por edhe të propozuar, asgjë nuk do të lihet jashtë konsideratës. Natyrisht duhet të jemi realist.

Në historinë e modeleve elektorale, të pavarurit e mbështetur nga forcat politike kanë regjistruar suksese të papritura, të themi atë që është. Sot, tani, mund të ju them se në një shtet prej 18 milionësh, në Rhine Westphalia, në Gjermani, të gjithë kandidatët të pavarur, të mbështetur nga forcat politike.

Pra, nuk është kjo. Vendimi është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm i jep opozitës shqiptare një dimension tjetër. Kë paraqiti ai? A e kuptoni ju se, çdo njeri tjetër në atë organizatë kriminale mund të dilte para Ogertës. Ogertës desh i ra të fiktë kur e mori vesh, sepse e di barrën e krimit që ka mbi supe. A nuk janë këto nata ma ditën, a nuk është kjo errësira me dritën, dallimi.

Ne themi, qytetarët themi, personaliteteve të vendit, intelektualëve të vendit, ekspertëve u themi, atyre të cilët ndihen të gatshëm të përballen të marrin vendimin e duhur dhe ne qëndrojmë të hapur ndaj tyre. Jo lajmi përbën ky, por risinë madhore, prandaj dhe mos bëjmë asnjëherë atë që ja; tani të themi, shihni trungun e pishës sa i madh, tani këto degët nuk na lënë me e pa. Nuk mund të ndodhi kjo“, tha kreu i opozitës.

Më herët, para nisjes së mbledhjes së Kryesisë së PD e cila u mbajt me dyer të mbyllura, kreu i opozitës sqaroi se nuk kanë për të bojkotuar zgjedhjet e parakohshme.

Presidenti Bajram dekretoi të mërkurën, datën 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator 2025.

Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.


Video