Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një mbledhje me strukturat e Partisë Socialiste në Tiranë, lidhur me zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen më 9 nëntor 2025.
Takimi u zhvillua për rreth 30 minuta në ambientet e Hotel Tirana me në fokus koordinimin e fushatës dhe mobilizimin e burimeve politike në mbështetje të kandidates socialiste, Ogerta Manastirliu.
Në këtë takim morën pjesë ministra, deputetë të Tiranës, përfaqësues të bashkisë, si dhe ish-deputetë të cilët kanë kandiduar në zgjedhjet e mëparshme në këtë bashki.
Rama ka ndarë detyrat dhe zonat elektorale për secilin, përfshirë edhe ministrat, ndërsa synimi është për një diferencë më të thellë se gara e fundit elektorale, zgjedhjet vendore të vitit 2023.
E ndërsa asnjë nga të pranishmit në mbledhje nuk folën për mediat, deputeti socialist Erion Braçe ka dhënë një mesazh të koduar nëpërmjet rrjeteve sociale.
Duke marrë spunto nga libri i ri i Lea Ypit, Braçe shkruan se “liria e vërtetë është të bësh gjënë e duhur, të jetosh drejt”.
Ndërsa më tutje, duket se mesazhi i drejtohet kryeministrit Edi Rama, ndërsa Braçe shkruan se “është po aq absurde po ti kërkosh të fuqishmit të mos e shprehë fuqinë e vet, të mos përjetojë dëshirën për të hedhur poshtë, shtypur, zotëruar tjetrin, sa t’i kërkosh dobësisë të shprehet si forcë”.