Lëvizja Bashkë ka zyrtarizuar kandidatin për zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës, të cilat do mbahen në 9 nëntor.
Gjatë një takimi në sheshin “Skënderbej”, Lëvizja Bashkë bën me dije se do të jetë kryetari, Arlind Qori ai i cili do të garojë për të qenë numri një i kryeqytetit përballë kandidates së PS, Ogerta Manastirliut dhe kandidatit/es të PD (ende i pacaktuar).
Me anë të një postimi në Facebook, Lëvizjes Bashkë thekson se Arlind Qori është alternativa e vërtetë për Tiranën.
“Arlind Qori, ALTERNATIVA E VËRTETË PËR TIRANËN
Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.
Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë.
Prandaj Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës.
Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë!”, shkruan Lëvizja Bashkë në rrjetet sociale.
Kjo nuk është hera e parë që Qori kandidon për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës. Ai ka kandiduar edhe në vitin 2023 duke përfaqësuar Lëvizjen Bashkë.