Rama KONFERENCË me gazetarët por me pyetjet që do kryeministri!

3 Tetor 2025, 14:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë të stërgjatë sot për mediat lidhur me ligjin për lirimin e hapësirave publike.

Por në fund të saj, ai u tha gazetarëve se nuk do u përgjigjet pyetjeve.

Rama i sulmoi gazetarët duke thënë se do përgjigjet vetëm për çështjen e ndërtimeve pa leje, për të cilën foli gjatë në konferencë.

“Mos më bëni pyetje kot se nuk do merrni përgjigje, flisni për këto që dua unë. Kjo nuk është konferenca e fundvitit”, tha Rama.

Gazetarët e pyetën pikërisht për temën dhe Rama u përgjigj shkurt, duke u thënë gjithashtu se nuk do ndalej gjatë për ta.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, pasi shpesh herë Rama kur gjendet në vështirësi nuk u jep të drejtë gazetarëve të bëjnë pyetje jashtë axhendës së tij.

Pyetja e cila do e nervozonte Ramën ditën e sotme në konferencë do ishte: A jeni bërë pishman për humorin që bëtë me Macron dhe presidentin Aliyev për deklaratat e Trump?

Kujtojmë se gjatë Samitit të Komunitetit të Politikës Evropiane në Kopenhagë, Kryeministri shqiptar Edi Rama shfrytëzoi një gafë të ish-Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, për të bërë një tallje diplomatike (italisht: sfottò). Në prani të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Presidentit Ilham Aliyev, Rama tha:

(Duhet të kërkosh falje, nuk na ke uruar për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump ka bërë midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.)

Ky moment ka rrëmbyer vëmendjen e shumicës së mediave botërore duke e cilësuar me titullin: Liderët europianë tallen me presidentin Trump.

Pas gjithë kësaj zhurme, Rama ka reaguar me një status në ‘X’, duke sqaruar se ishte një shaka mes miqsh dhe se titujt mediatikë kanë qenë një abuzim dhe shtrembërim i hapur i realitetit.

Ndër të tjera, ai e cilësoi Trump si lideri që pas shumë vitesh risolli në fjalorin e perëndimit fjalën ‘paqe’./VoxNews


Video