Zgjedhjet e pjesshme lokale/ PS zbulon edhe kandidatin për bashkinë e Matit

3 Tetor 2025, 20:18Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Altin Bojni

Partia Socialiste ka bërë publik emrin e kandidatit për Bashkinë e Matit.

Altin Bojni është emri të cilit PS i ka besuar kandidaturën për zgjedhjet e 9 nëntorit.

Bojni është i vetmi propozim që vjen nga strukturat e PS në Mat.

Aktualisht ai mban postin e Drejtorit të Shëndetit Publik dhe kryetar i Këshillit Bashkiak, jinancier me profesion, më herët ai ka mbajtur postin e drejtorit të postës dhe drejtorit të burgut të Burrelit.

Kryesia e PS, pritet të mblidhet javën e ardhshme ku do të miratojë zyrtarisht këtë kandidaturë, së bashku me kandidaturat për pesë bashkitë e tjera.

Nga ana tjetër drejtuesi Politik i Qarkut Dibër, Blendi Klosi ditën e sotme ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Klosi theksoi se kanë kryer analizën e rezultatit të marrë në zgjedhjet e 11 Majit.

Zgjedhjet në Bashkinë e Matit do të mbahen pak muaj pas dorëheqjes së kryebashkiakut, Agron Malaj. Malaj në zgjedhjet e 11 majit ishte në listën e hapur në Dibër. Largimi i tij si dhe dorëheqja e kryebashkiakëve të tjerë ka sjellë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në 6 bashki të cilat u dekretuan nga presidenti Bajram Begaj.


Video