'U thye paprekshmëria e Berishës'/ Hoxha pas sulmit: Truproja i Metës i vetmi me armë në protestë

7 Dhjetor 2022, 13:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Ilir Meta, Sali Berisha dhe Artan Hoxha

Gazetari investigativ, Artan Hoxha komentoi në Abc incidentin e djeshëm në protestën e opozitës, ku u sulmua me grusht kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Hoxha tha se incidenti me grushtin në protestë mori vëmendjen nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua dje në Tiranë. Gazetari tha se në protestën e djeshme i vetmi truproje që ishte i armatosur ishte truproja e Ilir Metës. Truprojat e Berishës nuk kishin armë me vete.

Për këtë Hoxha tha se Berisha nuk ruhet nga Garda e Republikës për shkak të çështjes së vulës në gjykatë dhe se nuk është njohur akoma zyrtarisht si lider i PD-së. “U thye paprekshmëria e Berishës”, tha Hoxha.

Kujtojmë se Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së.

31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe aktualisht po merr mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Video