Një vend nga Ballkani në BE për 2 vite/ Varhelyi: Gati për hapin e madh!

6 Dhjetor 2022, 21:35Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Varhelyi

A është samiti historik në Tiranë në sinjal se Bashkimi Europian është gati të mirëpresë shtetin e parë nga Ballkani Perëndimor? Kjo është pyetja me të cilën u përballën të martën liderët dhe zyrtarët e lartë të unionit kur u ulën përballë liderëve të Ballkanit për të diskutuar për të ardhmën e rajonit.

Komisioneri i BE për zgjerimin, Oliver Varhelyi u prononcua para mikrofonit të Top News duke zbuluar detaje nga bisedimet prapa dyerve të mbyllura mes liderve të BE dhe atyre të unionit. I pyetur se kur do të bashkohet vendi i parë nga Ballkani Perëndimor Varheley zbuloi se ka shumë gjasa që ky hap historik të merret në 2024.

Duke komentuar edhe rezolutën e fundit të PE, e cila kërkonte që Shqipëria dhe vendet e tjera që kanë nisur bisedimet, të mbyllin negociatat brenda vitit 2030, zyrtari i lartë thotë që premtimi dhe zotimi i tij është që të paktën një nga vendet e rajonit të bëhet pjesë e familjes europiane përpara mbarimit të mandatit të tij si komisioner pas dy vitesh.

“Ky ishte premtimi im kur erdha në detyrë. Une ende shpresoj dhe besoj se mund ta mbaj fjalën, duke mbyllur të gjithë kapitujt e anëtarësimit me të paktën një nga vendet e Ballkanit Perëndimor brenda mandatit tim si komisioner. Ne do të shohim dhe jam optimist, por që kjo të ndodhë unë kam nevojë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat për anëtarësimin.” tha Varhelyi për Top News.

Komisioneri shtoi po ashtu se ai ka përmbushur tani një nga premtimet e tij, hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin dhe se sipas tij, kjo ka hapur rrugën europiane për vendin tonë.

Optimist ishte Kryeministri i Belgjikës, Aleksandër De Croo. Kreu belg deklarori në një prononcim për Top Neës se të gjitha vendet e unionit bien dakord së progresi nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit ka qënë i madh.

Por, sipas De Croo, për momentin nuk mund të japë një afat të prerë së kur do të hyjë vendi i parë nga Ballkani në BE. Ai thotë se reformat demokratike dhe sundimi i ligjit të jenë në krye të procesit të zgjerimit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi parë punë fantastike nga të gjitha vendet e rajonit, sidomos me nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Integrimi i rajonit është i rëndësishëm për stabilitetin e Evropës në të gjitha aspektet. Por ne nuk mund të japim afate dhe të mos mbajmë më pas fjalën. Nga ana tjetër duhet pranuar se ka ende reforma dhe punë për të bërë sidomos nga disa vende të Ballkanit. Është e vërtetë se ka ende rrugë përpara se të hyrje vendi i parë nga rajoni, por duhet thënë se ka vullnet nga të gjitha palët dhe unë jam optimist.” tha Aleksandër De Croo.

Por kush do të jetë vendi i parë nga Ballkani që do të bashkohet me familjen europiane? Ai që ka bërë më shumë përparim nga vendet e rajonit në kapitujt e negocimit është Mali i Zi, duke e bërë me shumë gjasa të parin në radhë për të hyrë në BE.

Presioni ndaj vendeve të BE, sic pranon edhe Varheley është rritur pas Parlamenti Europian miratoi së fundmi një rezolutë dukë kërkuar që negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate duhet të përfundojnë plotësisht në vitin 2030.

Shqipëria, ka hapur deri tani parathënien e librit të anëtarësimit: procesin screening. Sipas parashikimeve të ekspertëve europiane, negociatat mund të duan një dekadë, ashtu sic po ndodh akktualisht me Serbinë dhe Malin e Zi por PE kërkon që ky proces të përshpejtohet.

Video